42 milionë euro është vlera e pasurisë të cilën e ka menaxhuar Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar prej vitit 2010, kur edhe është formuar.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i kësaj agjencie, Enver Krasniqi, ka thënë se patundshmëritë prijnë nga pesë kategori sa janë të ndara pasuritë, pasuar nga bizhuteritë, paratë e gatshme, mjetet e transportit dhe në fund ‘të ndryshme’.
Ai në emisionin Portofol në Klan Kosova FM, ka thënë se norma e zhvlerësimit të kësaj pasurie është 12 përqind për vit, derisa këtë e ka quajtur problem të madh.
“Për shkak të procedurave nëpër gjykata ka pasuri që nga 2012-ta janë në administrimin tonë. Procedurat shkaktojnë humbje të vlerës së kësaj pasurie. Kemi pasur përpjekje sidomos për mjetet e transportit që të shitën me qëllim të ruajtjes së vlerës”, është shprehur Krasniqi.
“Është problem shumë i madh ruajta e vlerës. Nëse zgjaten procedurat vlera e tyre do të jetë shumë më e vogël sesa që kanë qenë në fillim”.