Sot nga njësitet e stacionit policor Qendra në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar pasi që i njëjti dyshohet që me dhunë dhe nën kërcënimin e armës të ketë dhunuar dhe mbajtur të mbyllur një femër.
Polici ka pranuar informatën, se në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë , saktësisht në një banesë, viktima është duke u mbajtur me dhunë nga i dyshuari i armatosur, thuhet në raportin e policisë që e transmeton Koha.net.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka organizuar operacionin për kapjen e të dyshuarit si dhe lirimin e viktimës, operacion ky që ka rezultuar me sukses me ç’ rast është arrestuar i dyshuari, A. Mehmeti, mashkull, 45 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, njofton tutje policia.
Në të njëjtën kohë në vendin e ngjarjes nga njësitet policore është gjetur dhe sekuestruar arma një Revole e tipit C.Z e kalibrit 7.65mm me 7 fishekë, e poseduar pa leje nga i dyshuari, si dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike (dyshohet kokainë).
Viktimës së rastit i është ofruar tretmani i nevojshëm mjekësor, ndërkohë që personit të dyshuar pas intervistimit me rekomandimin e prokurorit të shtetit i është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit po vazhdon hetimin e të gjitha rrethanave të cilat e karakterizojnë rastin me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të tyre.