Shqipëria duhet ta konsiderojë me fat veten që natyra ia ka ndërthurur bukuritë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Një ndërthurje kaq e mrekullueshme e bukurive natyrore në një vend të vogël si Shqipëria, nuk ka shpëtuar pa u komentuar vit pas viti nga mediat e huaja, si një nga vendet që duhet vizituar nga të huajt.
Në rrugët e kryeqytetit syri të ndeshet me grupe turistësh të shoqëruar nga guida, të cilët duan të njihen me kulturën dhe bukurinë e këtij vendi të vogël Ballkanik. E për të mos folur më tej për bujtinat të cilat janë “të pushtuara” nga turistët e huaj, pa lënë anash edhe detin dhe kalatë.
Agjencia turistike InTours ka listuar pesë arsyet kryesore pse turistët e huaj duhet të vizitojnë Shqipërinë:
Është vend i paeksploruar
Një pjesë e madhe e njërëzve të apasionuar pas udhëtimeve dhe eksplorimeve, ende nuk e dinë diçka rreth bukurive natyrore të këtij vendi. E ndoshta kjo ka ardhur nga mos promovimi mjaftueshëm apo ndoshta akoma nuk e dinë ekzistencën e këtyre bukurive natyrore.
Ka klimë të pastër dhe të shëndetshme
Klima e favorshme e vendit tonë, të jep mundësinë që t’a vizitosh atë në çdo stinë të vitit duke shijuar kështu bukuritë e secilës stinë. Në verë mund të shijojnë detin, e në kohën kur bën pak më ftohtë edhe malet, bujtinat apo edhe vendet historike.
Ka histori të pasur
Vizita në Shqipëri të jep mundësinë të njihesh me detaje historike të periudhave të ndryshme kohore, duke filluar që nga ajo e Skënderbeut, të cilën e dëshmojnë kalatë e kështjellat, ajo e mbretit Zog, e komunizmit e deri në demokraci.
Mikpritja
Nëse viziton Shqipërinë, ke mësuar bazat e mikpritjes. Vendi ynë njihet si një nga vendet më mikpritëse të rajonit. Bujaria, sjellja dhe mikëpritja që bëjnë shqiptarët ndaj mysfirëve është një detaj që i dallon nga vendet e tjera dhe që nuk duhet humbur.
Ka çmime konkurruese
Çmimet janë të favorshme për turistët e huaj madje janë edhe konkurruese në rajon. Duke filluar që nga hotelet, restorantet, bar-kafetë, por edhe dyqanet e veshjeve për të gjithë ata që interesohen për blerjes.