Një delegacion, prej 50 oficerësh dhe nënoficerësh të “Staff Ride“ të Gardës Kombëtare të Iowas, nga data 16-20 shtator 2019, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, transmeton Klan Kosova.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni „Staff Ride“ nga Ajova së bashku me oficerë dhe nënoficerë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, kanë vizituar disa vende historike dhe të rëndësishme të Republikës së Kosovës, si dhe kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme akademike dhe rekreative.
Oficerët amerikanë së pari kanë vizituar kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë, si dhe Qendrën për Studime Universitare, Policinë e Forcës, Kompaninë e Mjekësisë, Batalionin e Xhenios dhe atë të Logjistikës. Vizitorët janë njoftuar me kapacitetet e njësive, aktivitetet dhe angazhimin e tyre, kapacitetet ekzistuese të FSK-së dhe planifikimet e fazës së tranzicionit.
Më pas, oficerët amerikanë kanë vizituar edhe disa vende historike si: qytetin e lashtë „Dodona“, Manastirin e Graqanicës, Krushën e Madhe, Gazimestanin. Po ashtu kanë vizituar edhe qytetin e Prishtinës, të Prizrenin dhe atë të Gjakovës, si dhe disa vende me rëndësi historike e kulturore.
Forca e Sigurisë e Kosovës, ka organizuar edhe lojë miqësore në futboll ndërmjet Ekipit të FSK-së dhe atij të „Staff Ride“ të Gardës Kombëtare të Iowas, e cila u zhvillua në stadiumin „Fadil Vokrri“ në Prishtinë.
Vizita e delegacionit të Gardës Kombëtare të Iowas, po zhvillohet në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror që ka Kosova me Shtetin e Iowas. Kjo vizitë përveç njohjes nga afër ka për qëllim edhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas.