Zëvendësministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa, ka pritur në takim përfaqësues të Shoqatës së Lidhjes së Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës dhe të Shoqatës së të Plagosurve Civilë të Luftës.
Ky është takimi i dytë me radhë me këto kategori të luftës të cilat në takim kanë shprehur nevojat dhe problemet e tyre të fushës shëndetësore.
Përfaqësuesit e shoqatave kanë kërkuar që për nevojat e tyre të sigurohen proteza të gjymtyrëve. Sipas kësaj shoqate, në Kosovë janë 58 raste që kanë nevojë për proteza.
Ata u pajtuan bashkë me drejtorin e Qendrës së Ortoprotetikës dhe me zëvendësministrin Musa, që këto proteza të sigurohen nga institucionet e Kosovës, gjegjësisht nga Qendra e Ortoprotetikës e cila funksionin në kuadër të QKUK-së.
Zëvendësministri Musa kërkoi nga shoqatat që t’i specifikojnë kërkesat në mënyrë që të ndahet një fond për blerjen e protezave për ta.