Janë verifikuar 500 viktima të dhunës seksuale nga lufta

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 10:42 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Terapisë Familjare në Kosovë, në bashkëpunim me Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” dhe Qendrën për Shërbime Humane dhe Zhvillim (QShHZh), kanë mbajtur konferencën me temën “Trauma dhe familja: Forcimi i sistemeve të mbështetjes së komunitetit në Kosovë”.

Kjo konferencë është e treta me radhë që organizohet në këtë fushë e cila ka për qëllim shënimin e Ditës së Familjes.

Zëvendësministri në Ministrinë e Shëndetësisë, Rrustem Musa, tha se Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 200 mijë euro fonde që kanë për të financuar projektet në mbështetje të sistemit shëndetësor.

“Konferenca e sotme është kontribut profesional në adresimin e mekanizmave në rolin e familjes në trajtimin e problemeve specifike, siç është trauma dhe si shoqëri e dalë nga lufta që ka lënë pasoja, shoqëria kosovare ka nevojë për një rol më aktiv në trauma”, tha Musa.

Musa shtoi se përveç ndihmës mjekësore që i kushtojmë vëmendje më shumë, sipas tij, duhet të bëhet edhe më shumë edhe në ndihmën psikologjike për shoqërinë kosovare, raporton Ekonomia Online.

Prorektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Izet Zeqiri tha se Universiteti i Mitrovicës ka qenë vazhdimisht në mbështetje të konferencave të tilla që ndihmojnë në informimin dhe vetëdijësimin e shoqërisë sonë.

“Prej dy viteve Universiteti i Mitrovicës ka parë të rëndësishme mbështetjen e forumeve të tilla me qëllim kontributin në trajtimin e çështjeve të rëndësishme për shoqërinë”, tha Zeqiri.

Feride Rushiti, e nderuar nga presidenti amerikan me çmimin për avancimin e pozitës së gruas në vend, tha se qe 15 vjet viktimat e dhunës seksuale të luftës janë trajtuar në heshtje, raporton EO.

“15 vite me radhë ky grup është trajtuar në heshtje dhe është krim i madh dhe kjo ka bërë që gra, vajza, burra edhe më tej të vuajnë edhe më shumë sesa vuajtja që u ka shkaktuar statusin e tyre emocional”, tha Rushiti.

Rushiti tha komisioni i shtetit ka filluar të bëjë verifikimin e viktimave të dhunës seksuale nga lufta dhe është ndarë buxheti për këtë kategori ku 500 veta kanë aplikuar dhe kanë marrë vendim pozitiv dhe pritet që këta persona të kompenzohen nga shteti me shumën prej 230 euro, raporton EO.

Ramize Shala-Murtezi, po ashtu e nderuar nga presidenti amerikan për punën në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, bëri thirrje publike që institucionet e vendit të merren më seriozisht me personat që shkaktojnë dhunë dhe ndikojnë në traumën në shoqëri dhe, sipas saj, është e nevojshme të ketë më shumë organizime të tilla duke marrë parasysh rrethanat 19 vite pas luftës.

“Ne si shoqëri 19 vite nuk kemi arritur të tejkalojmë dhunën dhe tani është koha e fundit që ne duhet të mirremi me këtë çështje edhe institucionalisht sepse në momentin kur nuk i trajtojmë këto grupe seriozisht janë gjeneratat e reja të cilat e trashëgojnë këtë dhe nuk i trajtojnë”, shtoi Shala.

Të ngjashme