Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Zyrën e kryeministrit kanë shënuar 25 Nëntorin – Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj gruas, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se dhuna vazhdon të jetë një fenomen shqetësues në vend, ku vetëm gjatë vitit 2019 kanë humbur jetën 6 persona si pasojë e dhunës në familje.
Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusija, tha se fushata nuk është ngjarje festive, por thirrje e ndërgjegjëjes për gjithë shoqërinë.
“Fushata e 16 ditëve nuk është ngjarje festive, por thirrje e ndërgjegjes për gjithë shoqërinë për të pyetur a punuam mjaftueshëm për t’i mbrojtur të gjitha ato gra dhe vajza që ishin viktima të dhunës në familje, të dhunës në baza gjinore gjatë vitit 2019”, tha ajo.
Sipas saj, si pasojë e dhunës në baza gjinore vetëm në vitin 2019 kanë humbur jetën 6 persona, prej tyre 5 gra e 1 fëmijë.
“Fatkeqësisht në vitin 2019 janë 6 jetë të humbura, 5 gra dhe vajza dhe 1 fëmijë humbën jetën në baza gjinore, si pasojë e një mentaliteti shumë sfidues. Ne kemi bërë hapa pozitiv për kornizën ligjore, por ka nevojë të punohet për një reagim më të shpejt ndaj thirrjes së gjithë atyre qe kërkojnë ndihmë për të shpëtuar nga një ambient apo situatë e dhunshme”, tha ajo, raporton EO.
Ajo tha se dhuna duhet të jetë prioritet në agjendën e institucioneve.
Drejtoresha për ndihmë e Zhvillim/Sida, Nasrun Pourghazian, theksoi se as Suedia nuk është e përjashtuar nga dhuna.
Sipas saj në Suedi çdo vit si pasojë e dhunës vdesin 20 gra.
“ Me miliarda gra janë viktima te dhunës. As vendi im Suedia nuk është e përjashtuar nga dhuna. 20 gra çdo vit vdesin nga dhuna në familje. Ky është problem global. Dhuna demonstron formën e pushtetit ndaj gruas”, tha ajo.
Sipas saj, sa i përket dhunës komunitetet janë më të cenueshme
“Dhuna qe ndikon te gratë pa marrë parasysh ato gra në komunitet janë më të cenueshme. Dhuna në familje dhe dhunimi janë ndryshe nga krimet tjera, viktima mban turpin e jo kryesi . Kjo është për shkak të diskriminimit ndaj gruas”.
Këshilltarja për të drejtat e njeriut në Zyrën e Bashkimit Evropian, Reyes Charlen Cuellar, tha se duhet të bëhet më shumë për dhunën në familje në mënyrë që të mos ketë viktima.
“Të gjithë pajtohemi se gjërat duhet të përmirësohen dhe të arrijmë te mandati 0 viktima. Ndihemi krenar që jemi pjesë e Agjencisë për Barazi Gjinore. Agjencia duhet të ketë ndihmë si ne aspektin politik dhe teknik. BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë agjencinë”, tha ajo, raporton EO.
Edhe shefi për bashkëpunimin Ndërkombëtar, David Oberhuber, tha se burrat duhet të bëjnë më shumë në lidhje me parandalimin e dhunës në familje.
“Jam krenar qe jam këtu dhe i nderuar të prezantojë GIZ-in. Kolegët e përmenden rëndësinë e temës dhe jam krenar të shoh kaq shumë zonja që ngritën për këtë çështje dhe disa burra që kujdesen për këtë temë dhe burra në uniformë. Edhe burrat të ngritën për këtë temë e cila duhet të diskutohet në publik dhe jo të merret si temë e zezë”, tha ai.
Sipas raportit “Vlerësim i nivelit të zbatimit të procedurave standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje në Kosovë”, thuhet se dhuna në familje mbetet një fenomen i përhapur dhe shqetësues në Kosovë.
“Në vitin 2017 Departamenti i Krimeve te Rënda në Policinë e Kosovës ka raportuar për 1271 raste të dhunës në familje. Nga ky numër 78,3 për qind prej rasteve te raportuara janë nga gratë dhe vajzat gjersa 21.7 për qind nga burrat dhe djemtë”, thuhet në raport.
Megjithatë konsiderohet se dhuna në familje mbetet e nënraportuar për shumë arsye, përfshirë këtu edhe faktorët e ndryshëm sikurse varësia ekonomike e grave dhe vajzave papunësia e lartë e grave dhe vajzave, stigma dhe fajësimi i viktimave te dhunës, pandëshkueshmëria e kryesve të dhunës në familje, mungesa e besimit ndaj institucioneve.
“Është raportuar se rreth 62 për qind e gjithë qytetarëve të Kosovës 68 për qind e grave dhe 56 për qind e burrave kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre”, thuhet në këtë raport.