Faruk Mujka, Kryeshef i Ndërmarrjes Ibër-Lepenci ishte arrestuar në korrik të këtij viti nën dyshimet për korrupsion. Gjatë bastisjeve të Policisë, në pronën e tij ishin gjetur 60 mijë euro.
Përkundër faktit se deputetët e LDK-së kur flasin për skandalet e Qeverisë Kurti e përmendin edhe arrestimin e Faruk Mujkës, të cilit iu gjetën mbi 60 mijë euro cash, kjo nuk po i pengon Xhafer Tahirit, që ta arsyetojë dhe mbrojë atë.
Kryetari i LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, njëherësh ish-deputet dhe ish-kryetar i kësaj komune nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po e mbron Faruk Mujkën e Lëvizjes Vetëvendosje, njeriun e Albin Kurtit që u arrestua muaj më parë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në një dosje të siguruar nga Demokracia.com Xhafer Tahiri figuron si avokat i Faruk Mujkës.
Sipas përshkrimit të lëndës që ka siguruar Demokracia.com, Xhafer Tahiri në cilësinë e mbrojtësit të Faruk Mujkës kishte paraqitur kundërshtimin në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj kërkesës për Urdhër Ndalues Përfundimtar të sendeve të ndaluara përkohësisht, përkatësisht pasurisë që dyshohet se Mujka e ka fituar në mënyrë të kundërligjshme. Fjala është për 60,050.00 euro të sekuestruara që ishin gjetur cash në banesën e Mujkës, për të cilat ka thënë se janë të vjehrrës së tij, të cilës i ka vdekur burri dhe janë pasuri e saj.
“Mbrojtësi i të pandehurit Faruk Mujka, av.Xhafer Tahiri, në afatin ligjor ka paraqit kundërshtim ndaj kërkesës për Urdhër Ndalues Përfundimtar duke kundërshtuar kërkesën e PSRK. Më aryestimin e dhënë, ndër të tjera ka potencuar se kërkesa është e pa bazuar në dispozitat ligjore pasi që nuk ekziston dyshimi i bazuar për veprën penale për të cilën dyshohet se e ka kryer i mbrojturi i tij, ndërsa sa i përket shumës së të hollave që janë gjetur në banesën e të mbrojturit të tij, ka theksuar se janë të vjehrrës së të pandehurit të cilës i ka vdek burri dhe është pasuri e saj. Po ashtu ka potencuar se kërkesa është e pasafatshme dhe gjykatës i ka kërkuar që kërkesa si e tillë duhet të refuzohet në tërësi dhe të lirohen sendet e ndaluara përkohësisht”.
Në rastin e Mujkës, i dyshuar ishte edhe Hysen Muzliukaj. Prokuroria Speciale ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat të ndaluar, të pandehurit Mujka dhe Muzliukaj, “në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”.
Kush është Faruk Mujka, njeriu i Vetëvendosjes që u arrestua për korrupsion
Gjatë bastisjes, në pronën e Mujkës ishte sekuestruar mbi 60 mijë euro cash.
“Mitrovicë Jug (NN) 25.04.2023-08:00-16:00. Më 14.07.2023 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të lart-cekur. Gjatë kontrollit në shtëpitë dhe banesat e të dyshuarve si prova materiale janë konfiskuar: 60.000 euro, 2 telefona, tre llap-topa , një USB dhe dokumente tjera të ndryshme lidhur me rastin. Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftim.
Disa ditë më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për lirimin e tyre.