Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial – InTER ka prezantuar projektin rajonal 60 mijë euro “Bjeshka e Moknës – Perla e pazbuluar në shtegun Via Dinarika”, raporton Ekonomia Online.
Dragisa Mijaçiq, drejtor ekzekutiv i InTER, prezantoi këtë projekt si grant nga fondet evropiane, të implementuar nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial.
Ai bëri të ditur se përfundimi i këtij projekti do të jetë në qershor të këtij viti.
“Kemi filluar në nëntor të vitit të kaluar dhe do ta përfundojmë në qershorin e hershëm të vitit 2019. Ky është projekt i shkurtër, ka shtatë muaj, por çka duam të bëjmë me këtë projekt është që të nis një iniciativë të madhe e cila shpresojmë të jetë afatgjate meqenëse kërkon edhe intervenime të gjata. Me anë të kësaj iniciative shpresoj se kemi nisur diçka të madhe. Kjo është iniciativë rajonale për zhvillim të turizmit por edhe për të ndërlidhë komunitetet dhe qytetet e ndryshme që ndajnë bjeshkën e njëjtë. Kjo është një nga iniciativat më të mëdha në turizëm dhe ky është shtegu i ecjes “Via Dinarica”, tha Mijaçiq.
Me këtë, sipas tij, po përpiqen të bëjnë një shteg të ecjes që do të ndërlidhë bjeshkët nga Peja deri në Zubin Potok dhe komunat si Rozhajë e Istog.
“Ky projekt ka të bëjë me zhvillimin e turizmit të përbashkët, produkteve të turizmit që kur turistët të vijnë këtu të vizitojnë edhe bjeshkën dhe me anë të këtij projekti ti bëjmë bashkë komunitetet”.
Lumturije Geci, nga Departamenti i Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, theksoi rëndësinë e veçantë të turizmit si sektor në Kosovë.
“Projekti ‘Bjeshka e Moknës – Perla e pazbuluar në shtegun Via Dinarika’, është pjesë e ndarjes së granteve. Pritet të ketë edhe grante të tjera kryesisht në turizëm. Institucionet e Kosovës, i kushtojnë vëmendje zhvillimit të marrëdhënieve të rajonit që Kosova të jetë destinacion i veçantë në Ballkan në të ardhmen e largët”, tha Geci, raporton EO.
Masar Kabashi, nga Klubi i Alpinistëve “Podgori”, shprehu mbështetjen ndaj këtij projekti.
“Projekti “Bjeshka e Moknës”, ka ndikuar mjaft në komunën tonë në zhvillimin e turizmit. Ne si klub dhe komuna e përkrahim këtë projekt dhe do jemi të angazhuar që t’i dalim projektit në fund sa më parë”, tha Kabashi.
Milot Krasniqi, nga organizata “Merimangat e Pejës”, u shpreh i sigurt për zhvillimin e kësaj pjese.
“Qëllimi i projektit është me ndërlidh këtë pjesë të Kosovës me Malin e Zi dhe Serbinë. Ka mbet më pak e zhvilluar në krahasim me pjesët tjera të Kosovës. Mirëpo kjo pjesë e Kosovës është ndër pjesët më të bukura që i kemi. Për dy apo tri vjet do të aktivizohet edhe kjo pjesë, ashtu siç janë aktivizuar edhe pjesët e tjera të Kosovës”, tha Krasniqi.