Rreth 600 mësimdhënës, të cilët kanë përfunduar drejtimin e Pedagogjisë në Fakultetin e Filozofisë, llogaritet se ushtrojnë profesionin e mësimdhënësit në Kosovë. Ata thonë se nuk po gjejnë punë me drejtimin e tyre dhe për këtë po e ushtrojnë punën e mësimdhënësit. Megjithatë, me një udhëzim të nxjerrë nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, pedagogët emërohen si “bashkëpunëtor profesionalë jo mësimdhënës”.
E.B. nga Komuna e Malishevës, ka 6 vite që punon si mësimdhënëse, ndonëse ka përfunduar Pedagogjinë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Problemi që pedagogët nuk po gjejnë punë në drejtimin e tyre thotë të jetë sepse shumica shkollave në Kosovë nuk kanë fare pedagogë.
“Qe 6 vite jam mësuese dhe në kohën kur ne jemi punësuar si mësimdhënës ka qenë e përfshirë Pedagogjia në Udhëzimin administrativ. Tash me udhëzimin e ri nuk është adekuate pedagogjia për mësimdhënës. Me vendim të ministrit të gjithë ata që janë në proces të mësimdhënies si mësues klase, edukatorë apo edhe edukatë qytetare do të avancohen duke iu nënshtruar disa provimeve në mënyrë që të licencohemi. Trajnime profesionale kemi ndjekur shumë, madje edhe të kurrikulës, por avancimin kryesor do ta ndjekim përmes një programi të veçantë pranë Fakultetit të Edukimit i cili pritet të filloj të paktën nga fundi i këtij muaji”, ka theksuar ajo. (Koha Ditore)