Me ndihmën e Agjencisë për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK), 61 punëkërkues kosovarë në fillim të shtatorit do të fillojnë aftësimin trevjeçar profesional për përkujdesje ndaj të moshuarve në Gjermani, raporton Ekonomia Online.
Jan Axel-Voss, zëvendës-shef i Ambasadës Gjermane në Kosovë, ka theksuar se kërkesa për të rinj kosovarë për t’u përkujdesur për të moshuarit në Gjermani është e madhe, pasi popullsia gjermane po plaket dhe nataliteti është i vogël.
APPK mbajti sot takimin përmbyllës me 61 punëkërkuesit kosovarë të cilët në fillim të shtatorit do të fillojnë shkollimin dhe aftësimin trevjeçar profesional në profesionin “Përkujdesës/e ndaj të moshuarve” në Gjermani.
Bedri Xhafa, udhëheqës i përgjithshëm i APPK-së, tha se kanë punuar rreth 9 muaj rresht me këta 61 punëkërkues për t’i përgatitur ata për tregun e punës në Gjermani.
“Së bashku me ju kandidatë, punuam sikurse me 134 të tjerë, që tani janë në rrugëtimin e tyre në Gjermani, disa prej tyre kah përfundimi. Ju jeni gjenerata e katërt. Qe 9 muaj punuam shumë dhe pas një procesi transparent të implementuar në Kosovë, pas një përzgjedhjeje, pas një procesi të definuar, punuat shumë me trajnerët, për të mësuar gjuhën si një ndër kriteret e rëndësishme në arritjen e synimeve, punuat në aktivitetet e para integrimit si komponente e rëndësishme që ju po përgatiteni për një jetë të re”, u shpreh Xhafa.
Çerkin Dukolli, zv.ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), tha se kjo ministri ka ndërrmarrë veprime për punësim cilësor përmes aftësimit profesional.
“Nga ku program kanë përfituar edhe tri gjenerata me 134 individë që gjenden në Gjermani nga viti 2014. MPMS ka ndërmarrë veprime për punësim cilësor përmes implementimit të masave të aftësimit profesional. Kemi bashkëpunim të mirë me APPK-në, me të cilën kemi realizuar projekte të ndryshme me të vetmin qëllim punësimin e qytetarëve të vendit. Kjo ka rëndësi të veçantë”.
“Tashmë 61 punëkërkues do të shkojnë në Gjermani për t’u punësuar në sektorë të ndryshëm. Kemi ndikuar pozitivisht, qoftë në punësim dhe hapjen e perspektivave të reja”, shtoi Dukolli.
Jan Axel-Voss, zëvendës-shef i Ambasadës Gjermane në Kosovë, ka theksuar se kërkesa për të rinj kosovarë për t’u përkujdesur për të moshuarit në Gjermani është e madhe.
Sipas tij, kjo është nevojë primare pasi që theksoi se popullsia gjermane po plaket dhe nataliteti është i vogël.
“Politika në Kosovë është një ‘biznes’ gogja i vështirë, prandaj edhe gëzohem që të ftohem edhe për çështje edhe tema të tjera”, u shpreh Axel-Voss.
“Ju gjatë 9 muajve të fundit jeni përgatitur për qëndrim në Gjermani, keni mësuar gjermanisht dhe për jetën atje”, shtoi ai.
Axel-Voss bëri të ditur se pas kësaj faze të trajnimeve në Kosovë, 61 kosovarët do të shkojnë në Gjermani ku me ndihmën e organizatës “Diakonie” do të aftësohen për mbikëqyrjen dhe përkujdesjen ndaj të moshuarve, për çka Gjermania është duke pasur nevojë. “Popullsia jonë po plaket, sepse gjermanët po lindin shumë pak fëmijë, për këtë arsye kemi nevojë për kujdes ndaj të moshuarve”.
“Diakonie” është organizatë për mirëqenie sociale e kishave protestante gjermane. Johannes Flothow, bashkëpunëtor i këtij rrjeti, u shpreh i kënaqur me këtë program, të cilin e vlerësoi mjaft të vështirë.
“Institucionet atje i gëzohen ardhjes tuaj, ju jeni të mirëpritur atje. Procesi ka qenë goxha i vështirë, sidomos për ata që mësimin e gjuhës gjermane e kanë filluar nga zeroja. Në Gjermani do të bëjmë një festë që grupi i parë ka përfunduar aftësimin dhe besoj se nga 27 që kanë filluar projektin 25 ose 24 me një siguri do të arrijnë qëllimin e tyre ta kalojnë provimin dhe të bëhen kuadër profesional”.
“Në Kosovë është situata e tillë që personat me shumë dëshpërim kërkojnë një vend punë në Kosovë. Kjo është mundësia për të arritur me një punë sociale, legale në Gjermani”, tha Flothow.