Rreth 50 institucione të Aftësimit Profesional janë të akredituara në nivel vendi

Prishtinë | 17 Pri 2018 | 12:29 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Këshilli Drejtues i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve kanë organizuar debat lidhur me zbatimin e Ligjit për Kualifikimet Kombëtare nga institucionet përgjegjëse.

Me këtë rast është diskutuar për situatën në institucionet e arsimit dhe Aftësimit Profesional, bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërinstitucional për Arsimin Profesional.

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, Lah Nitaj tha se ky autoritet ka bërë progres dhe është institucion kredibil.

Ai bëri të ditur se ndër vite janë identifikuar 85 standarde kombëtare profesionale dhe se tash janë akredituar rreth 50 institucione të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe janë aprovuar 35 kualifikime profesionale, raporton Ekonomia Online.

“Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve ka bërë progres ndër vite dhe tash mund të konsiderohet si institucion kredibil. Gjatë këtyre viteve, Autoriteti dhe MAShT-i ka arritur të identifikojë 85 standarde kombëtare profesionale. Tashmë janë akredituar rreth 50 institucione të aftësimit në nivel vendi. Kemi një plan dinamik për vitin 2018. Ambiciet e autoritetit kombëtar janë përtej kësaj që është arritur. Këtë vit presim që ta fillojmë monitorimin e institucioneve të akredituara”.

Nitaj shtoi se janë duke punuar në një udhëzim administrativ për njohjen e mësimit paraprak, sepse kjo, sipas tij, do të ishte ndihmesë e madhe për qytetarët që kanë studiuar në vende të tjera.

“Kemi filluar vitin e kaluar dhe po punojmë në sjelljen e një udhëzuesi administrativ për njohjen e mësimit paraprak. Kjo do të jetë ndihmesë e madhe për qytetarët që në në vende të tjera kanë marrë dije e njohuri”.

“Të gjithë kandidatët që mund të gjejnë dijet e tyre, shkathtësitë e tyre… jemi mjaft mirë në relacionin ndërkombëtar. Falë kësaj lidhjeje të kornizës evropiane këta të rinj të Kosovës e kanë një mundësi shtesë, integrimet euro-atlantike”.

Ai shtoi se sfiduese për ta është stafi i reduktuar dhe kapaciteti i pamjaftueshëm i hapësirës në të cilën punojnë, raporton EO.

“Përveç numrit të reduktuar të stafit, jemi në kapacitete të pamjaftueshme të hapësirës. Ne le që s’kemi komoditet për t’i pritur palët, por detyrohemi t’ia lëshojmë zyret njëri-tjetrit për takimet tona. E kemi ngritur këtë çështje, por shpresojmë që në të ardhmen të kemi një përgjigje”.

“Autoriteti kombëtar ka qenë pjesë e planit strategjik, por çuditërisht shumë pak aktivitete janë përfshirë në atë plan”, tha Fehmi Hysenaj, shef i kabinetit të ministrit dhe këshilltar i tij.

Kryetari i këshillit drejtues të autoritetit, Bedri Xhafa tha se duhet të ketë mobilizim të shkollave që posedojnë standarde.

“Tani kërkohet një mobilizm i atyre shkollave që kanë standarde”.

Avni Gashi, ekspert për sigurimin e cilësisë në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve, ka thënë se është e dëmshme që shkollat që plotësojnë standardet të mos futen në procesin e akreditimit.

“Jemi dëshmitar që të rinjtë kërkojnë vende pune. Shkollat që janë te gatshme, që kanë pajisje dhe hapësira moderne. Është dëm që këto shkolla të mos futen në procesin e akreditimit. Në këtë proces të akreditimit të rregullohet që të rinjtë të aftësohen në tregun e punës dhe të jenë të zotë të vetes”.

Anton Bujani, ekspert i Arsimit, tha se akreditimi i shkollave ndihmon në skanimin e gjendjes, për të parë se ku çalojnë shkollat.

Ai tha se kanë problem edhe me bordin, i cili është pa mandat qe 8 muaj.

“Ne do të duhej të kemi një prerje të situatës në raport me referencimin. Referencimi është njohje e një sistemi arsmor, njohje nga shtetet përmes kornizës evropiane të kualifikimeve. Situata është shqetësuese. Duhet të flasim për rëndësinë e këtij procesi, Kosova më mirë të dështonte, atëherë të mos referencohej.

Duhet të ketë një plan për sa hyjnë shkollat e tjera. Procesi duhet të jetë transparent dhe të raportohet saktë. Ky proces s’ka kosto të lartë. Krejt ky proces mund të ketë kosto 60-70 mijë euro. Akreditimi na ndihmon me ba një skanim të gjendjes. Me pa ku çalojnë këto shkolla. Kemi problem edhe me bordin, kemi bord të autoritetit të kualifikimeve qe 8 muaj pa mandat. Ne duhet ta legjitimojmë procesin”.

Të ngjashme