Dështon për herë të katërt brenda 8 muajsh konkursi për drejtor të Akreditimit

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 08:06 | Nga

Për herë të katërt që nga tetori i vitit të kaluar ka dështuar konkursi për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

Konkursi i parafundit i muajit prill kishte dështuar për shkak se Ministria e Administratës Publike (MAP) nuk i kishte njoftuar me kohë 2 kandidatë të cilët i kanë plotësuar kriteret për rrethin e ngushtë. Ankesa e tyre ishte aprovuar nga këshilli i ankesave në Ministri dhe si rrjedhojë konkursi ishte anuluar, shkruan sot Koha Ditore.

Së fundi, më 20 qershor të këtij viti, Ministria e Administratës Publike pati hapur tjetër konkurs për plotësimin e kësaj pozite i cili është anuluar ditë më parë.

Sekretari i përgjithshëm në MAP, Artan Berisha, ka thënë se anulimi i konkursit është bërë me kërkesë të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi. Kjo pasi, siç ka thënë, ministri ka arritur marrëveshje me Zyrën e Bashkimit Evropian që kjo pozitë të monitorohet nga Zyra e BE-së.

“Për këtë shkak kemi filluar me proces prej fillimit”, është shprehur Berisha.

Rreth kërkesës për anulim të konkursit gazeta ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga ministri Shyqiri Bytyqi, por ai nuk është përgjigjur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme