Një pjesë e madhe e lagjeve të Gjilanit, të hënën, kanë mbetur pa furnizim me ujë, ngase kompania e ujësjellësit “Hidromorava” ka ndërprerë furnizimin me të.
Uji u ka munguar banorëve të lagjes “Dheu i Bardhë”, por edhe të disa lagjeve të qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Shkak për ndërprerjen e ujit janë bërë punimet, të cilat po zhvillohen në lagjen “Dheu i Bardhë” nga një investitor privat, që ndërton një objekt shumëkatësh, ndërsa afër pronës së tij gjendet edhe gypi kryesor i ujësjellësit i cili furnizon qytetin.
Banorët edhe më herët kishin kundërshtuar ndërtimin e objektit shumëkatësh pranë shtëpive të tyre, duke akuzuar edhe Komunën se po lejonte dëmtimin e infrastrukturës rrugore dhe nëntokësore.
Pavarësisht kësaj kompania e ujësjellësit i kishte dhënë pëlqimin investitorit, që ta devijonte gypin kryesor të ujësjellësit.
Muahmed Suliqi, drejtor i kompanisë “Hidromorava”, ka deklaruar se ata kanë ndërprerë ujin, ngase kanë pasur informata se kishte pasur shembje dheu në hapësirën ku edhe gjendet gypi kryesor i cili furnizon 65 për qind të konsumatorëve, në Gjilan.