66 milionë euro kredi nga Franca për trajtimin e ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës

Prishtinë | 12 Sht 2018 | 13:40 | Nga

Komiteti Drejtues për projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës ditë më parë ka mbajtur një takim në lidhje me realizimin e marrëveshjes midis Francës e Kosovës për një kredi 66 milionë eurosh për ngritjen e këtij objekti, bëri të ditur Ambasada e Francës, përmes një njoftimi për media.

Komiteti përbëhet nga Ministrat e Financave, Zhvillimit Ekonomik dhe Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës si dhe Ambasadorit të Francës në Kosovë dhe përfaqësuesit të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit në Francë. Komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës, si dhe Bordi rajonal i Ujërave dhe Komiteti Ndërministror për Ujërat gjithashtu marrin pjesë si vëzhgues në punën e këtij komiteti.

Franca ka vënë në dispozicion të Kosovës një kredi prej 66 milionë euro për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës, i cili parasheh edhe kogjenerimin e energjisë nga llumet e mbetura. Kosova është zotuar të sigurojë bashkëfinancimin e nevojshëm për ndërtimin e këtij impijanti dhe zgjerimin dhe rinovimin e rrjeteve të ujërave të zeza, si shtesë e kredisë dypalëshe franko-kosovare. Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura do të ketë një ndikim të rëndësishëm në popullatën në aspektin e shëndetit dhe mjedisit dhe do të përmirësojë cilësinë e lumit Sitnica.

Marrëveshja për kredinë dypalëshe u ratifikua nga Parlamenti i Kosovës në pranverë të vitit 2017. Takimi i pestë i komitetit drejtues, ku morën pjesë të gjithë ministrat në fjalë dhe një përfaqësues i kabinetit të Kryeministrit, lanson zbatimin e këtij projekti duke rekrutuar një ekspert ndërkombëtar. Ky ekspert është përgjegjës, së bashku me të gjithë donatorët në sektorin e ujit, për përcaktimin e strukturës dhe përbërjes së Njësisë së Zbatimit të Projektit (PIU).

Të ngjashme