Shumica prej jush mund t’i dinë simptomat standarde të depresionit, si nervozizmi, lodhja dhe ndjesia e ankthit.
Por për dhimbjet e muskujve, problemet me stomakun apo zgjimin herët në mëngjes, e dinit që edhe këto mund të jenë shenja paralajmëruese të depresionit?
Ja cilat janë disa nga simptomat fizike që paralajmërojnë se po kaloni në depresion.
Dhimbje të muskujve
Sigurisht, nëse bëni shumë stërvitje, mund të keni edhe dhimbje muskujsh. Por, nëse keni dhimbje që nuk mund t’u jepni shpjegim, shkaktari mund të jetë edhe depresioni. Dhimbjet kronike të muskujve mund të jenë simptoma të fshehta të kësaj gjendje mendore.
Dhimbja ndryshon sipas gjendjes emocionale dhe e anasjella. Dikush që është i lumtur mund të mos ndiejë dhimbje sa ai që vuan nga depresioni.
Rënie ose shtim në peshë
Depresioni ndikon tek hormonet që rregullojnë oreksin, që do të thotë se mund të vëreni ndryshime në peshore. Hormonet na tregojnë kur jemi të uritur apo kur kemi ngrënë mjaftueshëm. Nëse kemi çrregullim hormonal për shkak të depresionit, çrregullohet edhe mënyra e ngrënies, mund të hash më shumë ose më pak seç duhet. Problemet me gjumin të lidhura me depresionin gjithashtu mund të ndikojnë për keq si tek hormonet e urisë ashtu edhe ngopjes.
Probleme me gjumin
Edhe pse shumë njerëz që vuajnë nga depresioni shpesh përjetojnë lodhje ose mungesë energjie, ata mund ta kenë të vështirë edhe të bëjnë një gjumë të rehatshëm. Një nga simptomat klasike të depresionit është “pagjumësia” – zgjimi shumë herët dhe pamundësia për të fjetur në orarin e duhur. Duke qenë se mungesa e gjumit mund të ndikojë në humor dhe aftësinë për t’u përqendruar – që janë gjithashtu simptoma të zakonshme të depresionit – mund të nisë një cikël vicioz.
Probleme me lëkurën
Hormonet e stresit mund të bëjnë “kërdinë” në lëkurë. Depresioni lidhet me rritje të niveleve të hormonit kortizol të stresit, prandaj përkeqësohen edhe gjendje si ekzema, psoriaza apo aknet.
Probleme me stomakun
Të përzierat, të vjella, kapsllëku dhe diarreja, të gjitha këto probleme me stomakun lidhen me depresionin, madje mund të përkeqësohen edhe më shumë tek personat që vuajnë nga çrregullime të ankthit. Zorra është përgjegjëse kryesore e gjendjes emocionale. Madje ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes depresionit dhe problemeve të tilla shëndetësore si sindroma e zorrës së irrituar.
Prishje të dhëmbëve
Depresioni mund të ndikojë edhe tek shëndeti oral. Një studim i fundit australian ka zbuluar se depresioni çon në prishje të dhëmbëve, duke qenë se çrregullimet emocionale mund të vështirësojnë kryerjen e detyrave të përditshme. Depresioni shpesh i pengon njerëzit të kujdesen për veten, si për shembull, të ushqehen siç duhet, të menaxhojnë gjendjet kronike apo të kujdesen për higjienën ditore, si larja e dhëmbëve apo e gjithë trupit.
Migrena
Dhimbjet e kokës dhe migrena lidhen me depresionin në një mënyrë si e bëri pula vezën apo veza pulën. Jo vetëm depresioni mund të çojë në dhimbje të kokës, por ai vërehet shpesh tek pacientët që vuajnë nga migrena. Dhimbjet e kokës mund të jenë shenjë edhe e ndonjë gjendje mjekësore më të rëndë, kështu që mos fajësoni menjëherë depresionin. Ndryshimet menjëhershme në shikim, mpirja ose ngrirja e qafës paralajmërojnë se duhet të bëni menjëherë një vizitë mjekësore.