Shefja e imunizimit në IKShPK, Edita Haxhiu ka thënë se ka filluar procesi i vaksinimit ku po vaksinohen punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive kurse në sallën “1 Tetori” janë duke u vaksinuar punëtorët e kujdesit primar të vijës së parë të frontit.
Ajo ka thënë se sipas panit shtetëror, janë planifikuar 3 faza të vaksinimit dhe deri në 70 për qind të popullatës planifikohet të vaksinohen deri në fund të vitit varësisht prej kontingjenteve të vaksinave.
Sipas saj, janë 280 persona nga stafi shëndetsor të cilët do të vaksinojnë në gjithë Kosovën.
“Në sallën ‘1 tetori’ është planifikuar që 760 persona të vaksinohen gjatë ditës, ndërkaq në Klinikën Infektive sot dhe nesër do të vaksinohet stafi”.
Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se sot është ditë e mbarë dhe se Kosova po i bashkohet vendeve tjerë për vaksinimin e personelit shëndtësor dhe qytetarëve.
Ai ka bërë thirrje që edhe më tutje të respektohen masat anti-COVID, duke bërë thirrje që qytetarët të mos hezitojnë të marrin vaksinën
“Ne jemi të vetëdijshëm që ky proces do të marrë kohë dhe qytetarët duhet ta kenë durimin. Vaksina është e sigurt dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt ta marrin. Sot kemi mbi 900 pacientë të shtrirë, prej tyre 37 janë në gjendje kritike dhe rreth 700 pacientë me oskigjenoterapi. Do të vaksinohem edhe unë”.