Numri i përgjithshëm i kosovarëve që kanë udhëtuar për në zonat e luftës konsiderohet të jetë 316, në mesin e tyre janë 44 gra dhe 29 fëmijë. Në këtë numër janë regjistruar edhe 38 qytetarë, të cilët kanë nënshtetësi të dyfishtë
Numri i kosovarëve që i është bashkëngjitur luftërave në Siri dhe Irak ka rënë dukshëm. Besohet se tash pjesë e “Shtetit Islamik” janë 74 veta, në mesin e tyre burra, gra e edhe fëmijë.
Kështu u bë e ditur në Konferencën Ndërkombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe OSBE-ja, në të cilën të pranishëm ishin shumë të ftuar nga jashtë Kosova.
Aty u përmend se nga pjesa e dytë e vitit 2012 e deri më sot 316 shtetas të Kosovës kanë marrë rrugën për në zonat e luftës në Siri dhe Irak.
Në mesin e tyre 44 gra dhe 29 fëmijë, shkruan Gazeta “Zëri”.
Në hapje të kësaj konference, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, që ishte edhe nikoqir i saj, ka deklaruar se ky takim do të jetë një mundësi e mirë që të këmbehen përvojat rreth një fenomeni i cili nuk është nacional, por është një e keqe globale.
Hyseni: Feja islame është fe e mirë, e paqes dhe e tolerancës
Hyseni ka pohuar se Kosova nuk bën përjashtim nga atakimi i kësaj dukurie, e cila ka prekur një numër të madh të shteteve në botë.
Ministri Hyseni ka thënë se Ministria që ai drejton ka krijuar një strategji, e cila ka ndikuar në ndalimin e përhapjes së ideologjive ekstremiste në shoqërinë kosovare.
Ai ka thënë se feja islame është fe e mirë, fe e paqes dhe e tolerancës.