8 të ndaluar nga Prokurori i Shtetit dhe 66 aktakuza ndaj 77 personave

Prishtinë | 24 Kor 2019 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Prokurori i Shtetit njofton opinionin se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur gjashtëdhjetegjashtë aktakuza kundër shtatëdhjeteshtatë personave, si dhe me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar tetë persona për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

Po ashtu, prokurori i shtetit gjatë 24 orëve të fundit ka bërë tetë (8) kërkesa për caktimin e paraburgimit të trembëdhjetë (13) personave, si dhe ka bërë kërkesë për sekuestrimin e një kamioni (Saurer), një bager (Eder dhe çelësat e kamionit dhe bagerit. 

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një (1) person, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja”. Po ashtu, kjo prokurori ka bërë tre (3) kërkesa për caktim të masës së paraburgimit për tetë (8) persona, me dyshimin se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur njëzetetetë (28) aktakuza kundër tridhjetë (30) personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një (1) person nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” sipas KRPK-së.  Po ashtu, nga ky Departament është paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një (1) person shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Dhuna në familje” sipas KPRK-së. Ndërkaq, në Departamentin e Përgjithshëm, janë ngritur gjashtëmbëdhjetë (16) aktakuza kundër nëntëmbëdhjetë (19) personave, për vepra të ndryshme penale. 

Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar dy (2) persona, një i mitur është ndaluar për 24 orë për veprën penale “Vrasje në tentativë, kurse një i dyshuar është ndaluar për 48 orë me aktvendim të prokurorit të shtetit për veprën penale “Vjedhje”. Gjithashtu, kjo prokurori gjatë ditës se djeshme ka bërë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj një të pandehuri për veprën penale “Dhunë në familje”. Po ashtu, gjatë ditës se djeshme kjo prokurori ka bërë kërkesë për sekuestrimin e një kamioni (Saurer), një bager (Eder dhe  çelësat e kamionit dhe bagerit.  Gjatë 24 orëve të fundit kjo prokurori ka ngritur gjithsej dy (2) aktakuza për veprat penale “ Rrezikimi i trafikut publik” dhe “ Vjedhja pyllit”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar, ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave, si dhe ka ngritur katër (4) aktakuza, kundër katër (4) personave.

Prokuroria Themelore në Gjakovë,  gjatë 24 orëve të fundit, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër një (1) personi , për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”. Po ashtu, Departamenti i Përgjithshëm ka ngritur pesë (5) aktakuza, kundër shtatë (7) personave, për vepra të ndryshme penale.

Brenda 24 orëve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një person që dyshohet për veprën penale “Kalim ilegal i kufirit“. Po ashtu, kjo prokurori ka ngritur një (1) aktakuzë kundër një  (1) personi.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër katërmbëdhjetë (14) personave për vepra të ndryshme penale.

Të ngjashme