Më 15 nëntor të vitit 2009, qytetarët e Kosovës u janë drejtuar kutive të votimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, më 17 shkurt të vitit 2008.
Zgjedhjet e 15 nëntorit janë vlerësuar përgjithësisht si të lira dhe të drejta me një numër të konsiderueshëm të parregullsive.
Por shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në atë kohë në Kosovë, Darko Aleksov, gjatë prezantimit të raportit paraprak të vëzhguesve pati thënë se ishin vërejtur edhe një numër parregullsish. “Prania e gjerë e votimit familjar që është vrojtuar, jo vetëm që është kundër ligjit, por paraqet një shkelje serioze të parimit të rëndësishëm të fshehtësisë së votimit”, pati deklaruar Aleksov,
Në këto zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës pati fituar në dhjetë komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në pesë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në tri komuna.
Zyrtarisht zgjedhjet e para të lira në Kosovë janë ato të 28 tetorit 2000, vetëm një vit pas luftës. Por, ndonëse në kushtet e represionit serb, shqiptarët e Kosovës votuan për herë të parë për të zgjedhurit e tyre në vitin 1992.
Edhe në mungesë të lirisë dhe një organi ligjvënës, Kosova zgjodhi në ato vite të vështira deputetet e vetë dhe atë që u njoh si “Qeveria në ekzil”.