80 mijë vaksina kundër gripit sezonal të porositura, vaksinimi nisë në fund të këtij muaji

Prishtinë | 18 Tet 2022 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Ditëve të fundit në Kosovë janë shtuar rastet me grip sezonal.

Vetëm në fillim të këtij muaji, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka qenë 230 pacientë në ditë e që 30% prej tyre me simptoma të gripit sezonal.

E, pavarësisht këtij numri të lartë, në vend ende nuk ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal.

Por, siç duket kanë mbetur edhe pak ditë kur edhe pritet të nisë vaksinimi.

Kështu, kanë bërë të ditur për Front Online nga Ministria e Shëndetësisë.

“Sipas Planit të imunizimit, pritet që gjatë këtij muaji të filloj procesi i vaksinimit në çdo komunë të Kosovës”, kanë thënë nga MSh-ja për Front Online.

Sipas tyre, vaksinat janë porositur dhe janë rreth 80.000 sosh.

Të njëjtat pritet ti sjellë UNICEF-i.

“Është bërë porosia për vaksinat e gripit sezonal dhe Ministria e Shëndetësisë pret që UNICEF-i ti sjell ato në kohën optimale, ku janë porositur  rreth 80.000 vaksina për qytetarët”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Front Online.

Kategoritë që duhet të vaksinohen në periudhën e gripave, janë të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna si dhe personat me sëmundje kronike.

Vaksina kundër gripit sezonal i mbron njerëzit për një sezon dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim.

Të ngjashme