813 biznese nënshkruhen kundër fiskalizimit të ri (Dokument)

Prishtinë | 14 Pri 2017 | 10:38 | Nga

Qeveria e Kosovës ka propozuar udhëzimin administrativ për instalimin e softuerëve të rinj nga ana e bizneseve.

Mirëpo bizneset po kundërshtojnë një gjë të tillë. Madje janë 813 bizneseve të cilat përmes një letre i janë drejtuar ministrit të Financave Avdullah Hoti, drejtorit të ATK-se Sakip Imeri dhe odave ekonomike për të kundërshtuar fiskalizimin e ri i cili parashihet në Pakon e re Fiskale.

Sipas tyre, me fiskalizimin e ri ato detyrohen të heqin arkat fiskale dhe të blejnë pajisje të reja fiskale.

“Ne kompanitë e poshtë shënuara ju njoftojmë se kundërshtojmë fiskalizimin e ri që po synoni të iu impononi bizneseve. Duke pasur parasysh se ne jemi tatimpagues të rregullt të fiskalizuar me arka dhe printer fiskal që në fillim të aktivitetit tonë biznesor, e shohim si të dëmshme dhe jo qëllim mirë ndryshimin e udhëzimit administrative për arka fiskale i cili do të na imponojë heqjen e arkave ekzistuese dhe vendosjen e sistemit të ri fiskal” thuhet në letrën e bizneseve.

“Ne kundërshtojmë çfarëdo kosto shtesë për fiskalizim të cilën e konsiderojmë të panevojshme duke marrë për bazë se ne përmes arkës fiskale deklarojmë çdo shitje dhe të njëjtën e raportojmë në ATK”, thuhet në letër.

“Vendosjen e sistemit të ri fiskal e konsiderojmë të dëmshme për biznesin tonë për shkak të kostos së lartë dhe ju njoftojmë se të njëjtën do ta kundërshtojmë në çdo formë”.

“Ky është mosbesim ndaj nesh si tatim-pagues të rregullt dhe rëndesë shtesë në një kohë kur presim që Qeveria të ndihmojë bizneset tona me lehtësira në të bërit biznes dhe jo na rëndojë me kosto shtesë për një raportim të cilin e kryejmë përmes arkës fiskale. Mbesim me shpresë se ky shqetësim i yni do të merret në konsideratë”, thuhet në letër.

Ndryshe, Shoqatës së ndërmarrjeve që merren me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikatëve (ShQNGL) ka përkrahur Udhëzimin Administrativ të propozuar nga Qeveria e Kosovës për instalimin e softuerëve të rinj për kontrollimin e cilësisë së naftës dhe rifiskalizimit, por me një kusht që barrën e kostos së saj ta bartë Qeveria e Kosovës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme