Historia e Miss-eve është shumë më e hershme nga ç’mund ta mendojmë. Në Evropë dhe Azi janë organizuar konkurse bukurie që në mesjetë, gjatë festave publike gjatë të cilave zgjidhej edhe zonjusha apo zonja më e hijshme nga të gjitha të pranishmet.
Megjithatë, ai që mbahet si konkursi më i vjetër i bukurisë që vijon ende sot, Miss America, do të organizohej për herë të parë në vitin 1921. Miss Amerika e parë është shpallur konkurrentja nga Uashingtoni, Margret Gorman.
Konkurrentet asokohe ishin përzgjedhur nga konkurse bukurie nëpër gazetat lokale, dhe do të ishte 16-vjeçarja nga Uashingtoni ajo që do të kurorëzohej si më e bukura. Ajo kujtohet ende si mbretëresha e parë e bukurisë në botë, pasi është e para nga e cila janë ruajtur foto.
Edhe pse më parë ishin organizuar konkurse bukurie, ato deri më atëherë ishin konsideruar si ‘shthurje’, prandaj edhe shpeshherë ishin lënë përgjysëm. Por ishte një sipërmarrës nga New Jersey, ai që mori guximin për ta çuar deri në fund Miss America-n në Atlantic City, me qëllimin për të tërhequr turistët.