Te Trepça ’89, insistojnë se tashmë kanë harruar eliminimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës nga Llapi pasi menjëherë janë fokusuar në kampionat, saktësisht në ndeshjen e këtij vikendi. Trepça ’89 që po lufton për mbijetesë në Superligë, do të përballet me Ballkanin, ekip që po synon titullin e kampionit. Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën prej orës 13:30 në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë dhe është ndër më interesantet të xhiros së 26 të Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra nga Mitrovica, aktualisht zë vendin e pestë në tabelë me 32 pikë, 20 më pak se Ballkani që është i dyti dhe ka dy pikë më pak se liderja, Drita. Në fakt, Trepça ’89 po synon rezultat pozitiv ndaj Ballkanit për të harruar eliminimin nga Kupa dhe humbjen që e pësoi xhiron e shkuar në kampionat. Si ndaj Llapit në kupë, ashtu edhe ndaj Gjilanit në Superligë, 89-shi pësoi humbje me rezultatin identik – 2:1. Kapiteni i ekipit, Muharrem Jashari ka thënë se Trepça ’89 ndaj Ballkanit do të futet vetëm për fitore, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë.
“Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë pasi Ballkani ka ekip të mirë, por ne do të futemi për fitore pasi mendoj që kemi skuadër cilësore. Të dy ekipet, aplikojmë një futboll të hapur dhe besoj se do të jetë një ndeshje tejet interesante. Eliminimi nga kupa nuk besoj se do të ndikojë negativisht, pasi mendoj se tashmë atë ndeshje e kemi lënë pas vetes dhe jemi fokusuar në ligë”, është shprehur Jashari për KOHËN. “Normalisht, gjasat janë të mira të marrim një rezultat pozitiv dhe do të luftojmë deri në fund. Edhe nëse shënojmë fitore ndaj Ballkanit nuk mendoj se do të jetë befasi, për shkak se në shtëpi luajmë mirë gjithmonë”.
Te Ballkani, si zakonisht nuk kanë dashur të prononcohen për duelin me Trepçën ’89 duke e zgjedhur heshtjen. Ndërkohë, eliminimin nga kupa do të përpiqet ta kompensoj edhe Drenica, ekip që do të kërkoj rezultat pozitiv në ndeshjen në udhëtim kundër Dritës, që prin në tabelë me 52 pikë të mbledhura. Drenica të mërkurën u eliminua në 1/8 e finales nga Kupa e Kosovës nga skuadra e Dukagjinit që bën gara në një rang më të ulët të garave, dhe menjëherë pas ndeshjes trajneri Bledar Devolli ofroi dorëheqjen, e cila iu pranua nga drejtuesit e klubit. Drenicën në duelin kundër Dritës që luhet të shtunën në qytetin e Gjilanit, do ta udhëheqë ndihmësi i Devollit, Johanes Tafaj. Ky takim zhvillohet të shtunën prej orës 13:00. Në fakt, Drenica është e parafundit në kampionat me 26 pikë dhe nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar tri barazime edhe një humbje. Krahas Drenicës, rezultat pozitiv në udhëtim këtë xhiro do të kërkoj edhe Arbëria e Dobrajës, e cila do të jetë mysafire e Llapit, të dielën prej orës 13:00. Arbëria po ashtu nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit duke regjistruar tri humbje e një barazim. Zë vendin e tetë në tabelë me 27 pikë, tri më pak se Llapi që është i shtati. Llapi së fundi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe trajneri Tahir Batatina ka insistuar se fokusi i ekipit të tij do të jetë në kampionat, pasi synon të sigurojë mbijetesën. Në anën tjetër, edhe Arbëria po lufton për mbijetesë dhe në Podujevë nuk do të udhëtojë me “flamur të bardhë”, ka paralajmëruar trajneri Arbnor Morina.
“Është një udhëtim i vështirë, por unë si gjithmonë, edhe këtë herë kam besim te futbollistët e mi. Do të mundohemi të dalim të pamposhtur dhe rezultati pozitiv nga kjo ndeshje do të ishte një moment suksesi kur dihet se përballë kemi Llapin, një skuadër të kompletuar me futbollistë të shkëlqyeshëm”, ka thënë Morina.
Ndeshje më pak interesante, do të jetë ajo në Brestovik të Pejës ndërmjet Besës dhe Feronikelit që luhet të shtunën. Ndërkohë, dueli ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit nuk do të zhvillohet këtë vikend për t’u ruajtur fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në të cilin Përfaqësuesja e Kosovës të hënën do ta nis grumbullimin dhe do t’i zhvillojë dy ndeshje, miqësoren me Lituaninë (24 mars) dhe atë eliminatore për Botërorin “Katari 2022” kundër Suedisë (28 mars). Dueli mes Prishtinës dhe Gjilanit është zhvendosur për datën 30 mars. Pas përfundimit të kësaj xhiroje, skuadra e Superligës do të ketë një pushim prej dy javëve për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të përfaqësueseve. Kosova këtë muaj i luan tri ndeshje, përfshirë edhe atë në udhëtim kundër Spanjës më 31 mars.
Superliga – 26
E shtunë
Drita – Drenica (13:00)
(Arbitra: S. Isufi, L. Muhadri, G. Mehmeti, V. Kastrati)
Besa – Feronikeli (13:00)
(Arbitra: E. Zasella, F. Jashari, H. Osmani, B. Ajeti)
E diel
Llapi – Arbëria (13:00)
(Arbitra: A. Shala, G. Hyseni, M. Berisha, I. Mehmeti)
Trepça ’89 – Ballkani (13:30)
(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, B. Selimaj, V. Ibërdemaj)
1. Drita 25 54
2. Ballkani 25 52
3. Prishtina 25 50
4. Gjilani 25 36
5. Trepça ’89 25 32
6. Feronikeli 25 31
7. Llapi 25 30
8. Arbëria 25 27
9. Drenica 25 26
10. Besa 25 7