Një 9-vjeçar në Angli mund të kishte mbetur i verbër kur u diagnostikua me celulit orbital pasi ishte infektuar me koronavirus. Celuliti orbital zakonisht shkaktohet nga përhapja e një infeksioni.
Fëmija i kaloi Krishtlindjet në spital, pasi syri i tij u enjt si pasojë e infeksionit.
Për situatën me të cilën u përball 9-vjeçari ka folur nëna e tij Angela Morey, e cila tha se e gjithë përvoja “ishte vërtet e frikshme” dhe akoma më “e trishtueshme sepse ishte Krishtlindje”, raporton BBC.
Ajo tha se e gjithë familja e saj ishte prekur me koronavorus dhe ishte izoluar në përputhje me udhëzimet e qeverisë.
Gjatë periudhës së izolimit, djali i saj filloi të ankohej se kishte një dhimbje në sy, ankesë kjo që fillimisht nuk u mor si diçka e madhe.
Por kur gjendja e djalit nisi të të përkeqësohej, nëna e pesë fëmijëve e dërgoi djalin në Spitalin e Syve në Bristol, ku u diagnostikua me celulit orbital – një infeksion bakterial i grykës së syrit.
Celuliti orbital i cili mund të shkaktojë verbëri mund të shkaktohet pas çdo infeksioni, por ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga infektimi me COVID-19.
9-vjeçari e kaloi këtë sfidë dhe më pas u largua nga spitali.