96 raste të dhunës familjare për një vit në Gjilan

Prishtinë | 23 Pri 2018 | 10:59 | Nga

Në Komunën e Gjilanit gjatë vitit 2017 janë regjistruar 96 raste të dhunës në familje. Viktima të dhunës kanë qenë 81 gra dhe 15 burra.

Për 96 rastet ka pasur lëshim të urdhrit mbrojtës me vendim të gjykatës, e cila ka përcaktuar masat e mbrojtjes për viktimën e cila ka pësuar nga dhuna në familje, shkruan sot “Koha Ditore”. Kurse 75 raste janë mbështetur nga Qendra për Punë Sociale, e cila ka mbështetur 59 femra dhe 15 meshkuj.

Në strehimoren për mbrojtjen, rehabilitimin e grave dhe fëmijëve “Liria” në Gjilan në vitin e kaluar janë strehuar përkohësisht 51 gra, si dhe 23 fëmijë, të cilët kanë qenë nga mosha 0 deri 12 vjeç, si dhe 5 të mitura. Kjo strehimore ofron ushqim, veshmbathje, medikamente, si dhe shërbime të tjera përcjellëse.

Elmina Mahmuti, komandante rajonale e Policisë në Gjilan, thotë se numri i rasteve të cilat raportohen në polici nuk kanë të bëjnë vetëm me dhunën e cila ushtrohet nga burri ndaj gruas, mirëpo ka të bëjë edhe me shumë raste të tjera, të cilat lajmërohen nga familjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme