Një ushtar gjerman i arrestuar javën e kaluar nën akuzën se ka përgatitur një sulm terrorist, kishte pasur të përpiluar një listë “ekzekutimi”, me emrat e disa politikanëve të lartë gjerman, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ish-presidenti i vendit, Joachim Gauck dhe ish-ministri i Drejtësisë, Heiko Maas kanë qenë në mesin e personaliteteve politike, emrat e të cilëve janë gjetur në listën me emrat e objektivave potenciale të përpiluara nga togeri 28 vjeçar Franco A, një ekstremist i dyshuar nga radhët e së djathtës ekstreme, shkruan e përditshmja gjermane “Tagesspiegel”.
Natyra serioze e incidentit ka bërë që Prokuroria Federale e Gjermanisë, e cila heton krime të rënda të terrorizmit, të martën të marrë përsipër hetimin.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA njoftoi se hetuesit janë përqendruar në lidhjet e të dyshuarit me një rrjet ekstremistësh brenda ushtrisë.
Franco A është arrestuar javën e kaluar pasi policia zbuloi se për më shumë se një vit, ai kishte jetuar një jetë të dyfishtë si një refugjatë sirian, ndërkohë që kishte planifikuar një sulm terrorist për të cilin më vonë do të fajsoheshin refugjatët.
Si rrjedhojë, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen anuloi vizitën e saj të paraparë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Opozita gjermane për një kohë të gjatë kritikon qeverinë, për siç thotë, ngurrimin e kësaj të fundit të ndërmarrë masa kundër ekstremistëve në ushtri.
Ministria e Mbrojtjes e kishte njoftuar Parlamentin se po heton 275 ekstremistë të dyshuar të krahut të djathtë brenda radhëve të veta.