E mitura që dyshohet se u dhunua nga dy burra, u raportua dje e zhdukur

| 15 Jan 2024 | 15:25 | Nga

Një rast dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një motel në mes të rajonit të Pejës dhe Gjakovës, ku tre persona po dyshohen për dhunimin dhe shfrytëzimin e një vajzë të mitur për prostitucion. Të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, ndërkohë që Policia ka nisur hetimet në koordinim me Prokurorinë.

Vajza ishte larguar nga shtëpia e familjarit të saj në Gjakovë dhe s’kanë asnjë informacion për të.

Cilat janë detajet e këtij rasti të trishtë?

Tre të dyshuarit, me një plan të detajuar, dyshohet se fillimisht i kanë ofruar ‘ndihmë’ viktimës, e cila ishte larguar nga shtëpia e saj para disa ditësh, duke e marrë me veturën e tyre dhe duke i premtuar strehim.

Gjatë kësaj periudhe, të njëjtit e kanë dërguar në një motel, ku dyshohet se dy prej tyre kanë kryer marrëdhënie seksuale me të, edhe pse kanë qenë në dijeni për moshën e saj.

Për dhunimin e 15-vjeçarës dyshohet se ndihmoi i dyshuari i tretë, që sipas burimeve të Sinjalit, dyshohet se e ka organizuar dhe ndihmuar viktimën për qëllime të prostitucionit – duke kryer kështu veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”.

Kontrollet e Policisë mbrëmë pas mesnate, te Tranziti i Vjetër në Prizren u bënë ‘sebep’ që të zbulohej rasti, pasi vetura në të cilën ndodheshin tre të dyshuarit dhe viktima u ndalua për kontroll.

Të dyshuarit fillimisht tentuan t’ia hedhin Policisë, duke u prezantuar si familjarë mes vete, por tentativa për t’i mashtruar iu dështoi dhe u ngritën dyshimet se deklaratat e tyre janë të rrejshme.

Sipas të njëjtave burime, pasi u zbulua se asnjëri prej tyre nuk ka lidhje familjare me tjetrin, grupi u shoqërua për në stacion policor, teksa në anën tjetër, vajza është dërguar në Spitalin Rajonale për ekzaminimet e nevojshme.

Ndaj tre të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për dy vepra penale “Dhunimi” e “Mundësimi apo detyrimi në prostitucion”.

Të ngjashme