Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), kryetari Jeton Mehmeti, ka thënë se në dhjetor të vitit të kaluar, KPM-ja ka miratuar një rregullore të re që flet për obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore e në të cilën kemi paraparë edhe disa obligime për neve si komision, raporton Ekonomia Online.
“Në momentin që monitoruesit e KPM-së vërejnë ndonjë shkelje të mundshme nga ana e mediave, rregullores me mbulimin e fushatës zgjedhore, apo kemi një ankesë nga ndonjë palë që lidhet me fushatën zgjedhore, sipas rregullores së re, KPM duhet që brenda pesë ditëve të mbajë mbledhje dhe t’i trajtojë ato raste”, tha ai.
Mehmeti tha se sot na janë dorëzuar gjithsej nëntë raste që ndërlidhen me shkeljet e mundshme të cilat i ka identifikuar zyra ekzekutive e KPM-së.
“Këto shkelje janë evidentuar në tre ditët e para të fushatës, ku monitoruesit kanë vërejtur pak a shumë shkeljet e ngjashme dhe këto në lidhje me mos identifikimin e partive politike si sponsor të spoteve politike, kanë të bëjnë me prezencën e fëmijëve në pika reklamuese, kanë të bëjnë edhe me sponsorizime të misioneve aktuale politike dhe reklamime”, tha Mehmeti
Anëtari i KPM-së, Besnik Berisha, ka propozuar që me agjendë si pika e parë pas miratimit të procesverbalit të jetë plotësim ndryshimi i rregullores së punës.
“Meqë po e dimë se mandati i kryetarit skadon me datën 20 janar, mendoj se ne si KPM duhet të ofrojmë një zgjidhje që të sigurojmë se KPM-ja të ketë kryesinë edhe pas kësaj date. Andaj, propozoj që me agjendë, si pika e parë pas miratimit të procesverbalit të jetë plotësim ndryshimi i rregullores së punës, me qëllim mundësimin e zgjedhjes së kryetarit pasi të mbes KPM pa kuorum, si dhe pastaj sigurimi vazhdimësisë së punës së kryesisë së KPM-së si pikë tjetër me të cilën ne do të kemi mundësinë po shpresoj të zgjedhim kryesinë e re sa kemi mundësi”, tha Berisha.
Ai tha se askush nuk e ka pas në plan të shkarkojë kryetarin e KPM-së, e as nuk ka kuptim kjo.
“Pas datës 20 KPM rrezikon të mbetet pa kryetar dhe nënkryetar, dhe e prek deri diku funksionalitetin e KPM-së. Kemi shumë obligime tjera me të cilën rëndësia e kryetarit është evidentë dhe duhet që KPM nëse ka mundësi të ketë kryetarin dhe të mos mbetet pa kryetar dhe nënkryetar. Po ashtu ka edhe një çështje tjetër, askush nuk e ka pas në plan të shkarkojë kryetarin e KPM-së, e as nuk ka kuptim kjo, kjo është e befasishme, por të gjithë ata që kanë lansuar këtë lajm t’i kthehen vetes si kanë rënë në këtë lajthitje dhe të shikon se kush po dezinformon. Ky është shqetësimi jonë që besoj se do të trajtojmë në ditët në vijim”, tha Berisha.
Anëtari tjetër i KPM-së Fitim Veliu shprehu shqetësimin e tij për lajmin se KPM, po planifikon shkarkimin e kryetarit.
“Shpreh shqetësimin tim të thellë për dezinformatat që sot kur u zgjova pash në Facebook nga analistë të mediave, që për mendimin tim nuk kanë lidhje me analistë të mediave, pasi kur nuk ka asnjë informatë ka e ka marrë atë, për mendimin tim ai është pseudogazetar. Të thuhet se KPM po planifikon shkarkimin e kryetari pa e pas asnjë informatë zyrtare është tepër e ulet dhe jo kredibile”, tha Veliu.
Luljeta Aliu, anëtare e Komisionit, tha se KPM-ja është institucion i pavarur kushtetues dhe të mbes pa kryetar është gogja keq.
“Edhe unë përkrahi kërkesën e dy kolegeve të mi, që ka qenë edhe kërkesë prej më herët, një çështje të cilën e kemi diskutuar edhe me vet kryetarin dhe nënkryetarin dhe jemi dakordu që kjo të jetë mënyra e veprimit. KPM është institucion i pavarur kushtetues dhe të mbes pa kryetar është gogja keq”, tha ajo.
Aliu tha se në bazë të rregullores së punës fillimisht zgjedhja e një kryetari të ri duhet të bëhet në seancën vijuese pasi kryetarit aktual t’i skadojë afati.
“Unë nuk jam dakord me asnjërën prej tyre, plotësim ndryshimi i rregullores të punës në bazë të ligjit për KPM kërkon konsultim publik…Pra, në bazë të rregullores së punës fillimisht zgjedhja e një kryetari të ri duhet të bëhet në seancën vijuese pasi kryetarit aktual t’i skadojë afati, dhe argumenti se mund të mbetemi pa kryetar nënkupton po ashtu se me rregulloren e punës, anëtari më i vjetër i komisionit është përfaqësues i KPM-së me përgjegjësi ligjore, nuk ka kurrfarë problemi që anëtari më i vjetër të përfaqësoj KPM-në brenda dhe jashtë e vendit dhe t’i kryeje obligimet tjera. Kjo deri në konsistuimin e ardhjes së anëtareve të rinj të KPM-së”, tha ajo.
Në fund me tri vota për dhe një kundër u miratuar propozimi i anëtarit Berisha.
