Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 23-vjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt theksoi se ai ishte një figurë e shquar në luftën për liri dhe pavarësi, shkruan Ekonomia Online.
Ajo shtoi se drejtësia për vrasjen e tij është e domosdoshme dhe do të vazhdojë të kërkohet. “Liria që ai kërkoi nuk mund të jetë e plotë pa drejtësi”, përfundoi Presidentja.
“Në 23-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt Smajl Hajdarajn, deputetin, aktivistin politik dhe komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra pabesisht në një pritë më 17 janar 2002. Ai nuk u ndal as në luftë, as në paqe, duke qëndruar gjithmonë besnik ndaj idealeve të lirisë dhe të pavarësisë. Por, fatkeqësisht, ai u vra në një kohë kur Kosova kishte nevojë për njerëz si ai – për ndërtimin e shtetit dhe forcimin e demokracisë.
Liria për të cilën ai luftoi nuk mund të jetë e plotë pa drejtësi, ndaj është e domosdoshme që autorët të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë. Smajl Hajdaraj do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si simbol i qëndresës dhe sakrificës. Lavdi jetës dhe veprës së tij”, thuhet në kumtesë.