Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas raporteve në media se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë zarfet me fletëvotime nga posta e KQZ-së në Zagreb dhe i ka dërguar ato në Ambasadën e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online se do të vlerësohet nëse ky veprim është bërë sipas akteve nënligjore të përcaktuara.
Ai shtoi se pas shqyrtimit, do të merret një vendim përfundimtar mbi këtë rast.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”, tha Elezi.
Portali “Infokusi” ka raportuar se në një takim online të organizuar nga KQZ-ja, me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.
Sipas këtij mediumi, Berishaj ka deklaruar se ka tërhequr personalisht të gjitha zarfet me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Zagreb, ku ai drejton misionin diplomatik.