Përurohet parku rekreativ rreth 2 hektarësh në fshatin Lumi i Madh të Vushtrrisë

Prishtinë | 26 Shk 2025 | 13:59 | Nga Hasan Hoti

150 mijë euro është kostoja e ndërtimit të parkut rekreativ në fshatin Lumi i Madh të Vushtrrisë, raporton Ekonomia Online.

Ky investim është nga Komuna e Vushtrrisë, ndërsa hapësira në total është rreth 2 hektarësh. Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se parku i ndërtuar i plotëson të gjitha standardet.

“Sot bashkë me banorët e Lumit Madh dhe në prezencë të këtyre fëmijëve, e përuruam parkun rekreativ këtu. Një park i cili plotëson të gjitha standardet dhe ka një sipërfaqe prej afër 2 hektarësh dhe është me shëtitore, me lodra për fëmijë dhe me ndriçim publik, që i plotëson të gjitha standardet. Jam jashtëzakonisht mirë që banorët e këtij komuniteti është i lumtur për këtë park që i ka munguar këtij lokaliteti. Kap vlerën prej 150 mijë euro dhe investitorë është Komuna e Vushtrrisë”, tha Idrizi.

Të lumtur me këtë park u shprehën edhe banorët e këtij fshati. Kryetari i fshatit, Avni Zabeli, tha se ky park ka qenë shumë i nevojshëm, për shkak se fëmijët e banorët nuk kanë pasur se ku të shëtitën.

“Në emër timin dhe të gjithë banorëve të fshatit e falënderojmë kryetarin Ferit Idrizi që e ka kryer këtë punë shumë të mirë. Ka qenë shumë i nevojshëm ky park, për shkak se fëmijët e banorët nuk kanë pasur se ku të shëtitën”, u shpreh ai.

Ndërsa drejtori i shkollës së këtij fshati, Fehmi Shala, pati falënderime edhe për punëkryesin.

“Shumë shpejt është ndërtuar, bile ndokund kur i kemi thënë për bërë disa ndryshime i ka bërë. Ky park ka qenë shumë i nevojshëm shumë moti, e falënderoj kryetarin e Komunës që e ka mundësuar këtë investim, se nëse krahasohet dallimi është si nata me ditë”, u shpreh ai.

Të ngjashme