Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka mbajtur mbledhjen e radhës. Të pranishëm në seancë përveç shumicës së kuvendarëve, si zakonisht ishin edhe kryetari i Komunës Smajl Latifi, nënkryetari Fatmir Iska e drejtorët e drejtorive komunale, raporton Ekonomia Online.
Fillimi i seancës karakterizohet me votim të procesverbalit nga mbledhja e kaluar, për të vazhduar me diskutime dhe pyetje të ndryshme nga kuvendarët, drejtuar kryetarit të komunës dhe drejtorive përkatëse. Fillimisht, debati u zhvillua mbi refuzimin e dhënies së lejes ndërtimore nga Komuna e Rahovecit për ndërtimin e një lagje në këtë qytet. Bëhet fjalë për kërkesën e Bajram Cenës për ndërtimin e objekteve të banimit.
Në vazhdim, kuvendi mori vendim që të lirohen nga taksat komunale, ish-ushtarët e TMK-së, zjarrfikësit, punëtorët e Ekoregjionit dhe zyrtarët policor.
Gjithashtu, u votua miratimi i propozim-vendimit për vënien në mbrojtje të “Kanionit të Drinit të Bardhë te Ura e Fshejtë” në kategorinë: Monument i Natyrës në Komunën e Rahovecit.
