Kurti nis konsultimet për formimin e qeverisë, takohet me kryetaren e NDS-së Emilija Rexhepi, e merr mbështetjen e saj

Prishtinë | 02 Pri 2025 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nisi takimet me partitë e komuniteteve për konsultime në lidhje me formimin e qeverisë. Ai u takua me Emilija Rexhepin, që aktualisht është zëvendëskryeministre e tretë dhe kryetare e NDS-së.

Zyra e kryeministrit njoftoi se Emilija Rexhepi e konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re.

Njoftimi i plotë i Zyrës së kryeministrit:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar takimet me partitë politike të pakicave, për konsultim me to në lidhje me formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe fillimit të afateve kushtetuese drejt formimit të legjislaturës dhe qeverisë së re.

Në kuadër të këtyre diskutimeve, kryeministri u takua me zëvendëskryeministren e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut dhe kryetaren e Partia e Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi. Ajo e konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si fituese e zgjedhjeve të fundit dhe mbështetjes së kryeministrit Kurti në formimin e qeverisë së re.

Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Rexhepi për bashkëpunimin e frytshëm, rezultatet e arritura gjatë këtij mandati dhe punët e mbara që na presin në katër vjeçarin e ardhshëm.

Të ngjashme