Provat në rastin Banjska: Grupi terrorist u stërvit në hapësirat e poligonit ushtarak serb

Prishtinë | 17 Pri 2025 | 11:16 | Nga Gzim Mujaj

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë.

Prokurori i këtij rasti, Naim Abazi, në cilësi të dëshmive, ka prezantuar video dhe fotografi nga vendi i ngjarjes, me qëllimin për të dëshmuar organizimin dhe vajtjen e këtij sulmi terrorist, raporton Ekonomia Online.

“Kam vërejtur një nga skenat më të rënda dhe armatimit më të rëndë, që nuk i ngjasojnë një skene normale… Kam parë armë automatike, snajperë, mina, granata dhe armatime të tjera, vetura, uniforma ushtarake e radio-lidhje të përdorura për sulmin”, u shpreh Abazi.

Ai ka prezantuar pamje nga hyrja e kamionëve dhe automjeteve që kanë monitoruar rrugët, para se të niste sulmi.

“Videot flasin qartë se si grupi ishte përkujdesur në detaje rreth vendosjes dhe hyrjes se si do të operonin në këtë zonë”, deklaroi prokurori.

Avokatët kërkojnë që të akuzuarit në rastin Banjska të dënohen me burgim të përjetshëm

Në seancën gjyqësore për rastin Banjska avokatët e të dëmtuarve kërkuan nga trupi gjykues që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm, raporton Ekonomia Online.

Mbrojtësi i të dëmtuarit Alban Rashitaj, avokati Naim Rudari, tha se ajo ditë e sulmit në Banjskë ishte e kobshme.

“Ora 2.00 e mëngjesit ishte e kobshme për familjen Bunjaku. Ishte e rëndë edhe për Alban Rashitajn dhe të tjerët. Ishte një madhështi për policinë e Kosovës që arritën aq shpejt të shpartallojnë një grup të organizuar mirë profesionalisht dhe doli që organizimi i tyre të dështojë brenda 24 orësh”.

“Ne paraqesim kërkesë pasurore juridike për të dëmtuarin . Zotëria që është ulur është pjesëtar i policisë së Kosovës. Unë konsideroj se në këtë gjykatore nuk mund të ulet ku është paraparë vendi i prokurorit special”, tha avokati Rudari.

Ndërsa, avokati Arianit Koci tha se kjo është një thirrje për drejtësi përballë një akti terrorist.

“ Akt qyqar që nuk ka synuar jo vetëm jetën e  njeriut, por edhe zhbërjen e shtetit tonë.

Kërkoj që të dënohen me burgim të përjetshëm. Ky është minimun që na takon gjithë neve në Kosovë. Kërkoj që sa më shpejt të fillojë gjykimi në mungesë edhe i të akuzuarve të tjerë”, tha avokati Koci.

Tre të akuzuarit në rastin Banjska u deklaruan të pafajshëm

Të tre të akuzuarit në rastin Banjska janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues, raporton Ekonomia Online.

I akuzuari Blagoje Spasojeviq nuk e ka pranuar fajësinë.

“Nuk jam fajtor për veprat penale dhe për këtë aktakuzë”, ka deklaruar ai.

I akuzuari Vladimir Toliq po ashtu ka thënë se nuk është fajtor për veprat që i vihen në barrë.

“Nuk jam fajtor për veprat që më vihen në barrë”, është shprehur ai.

Njëjtë u deklarua edhe i akuzuari Dushan Maksimoviq.

“Nuk jam fajtor për veprat që më vihen në barrë për këtë aktakuzë”.

Ndërkohë trupi gjykues në rastin “Banjska” mori vendim që ta largojë nga salla hetuesin e rastit Jeton Jetullahu, me arsyetimin se i njëjti më vonë mund të jetë dëshmitar i rastit.

Paraprakisht, mbrojtja e të akuzuarve kërkuan të dinë se kush janë stafi mbështetës i prokurorit.

Të ngjashme