Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike, duke e cilësuar si “absurde” kërkesën e opozitës që qeveria të braktisë institucionet për t’u mundësuar atyre korrigjimin e një “gabimi trashanik”, shkruan Ekonomia Online.
Sipas Muratit, opozita bëri një hap të paarsyeshëm kur votoi kundër mandateve të veta dhe tani po përpiqet të fajësojë institucionet për pasojat e këtij vendimi.
“Tash po kërkojnë që qeveria të braktisë institucionet, në mënyrë që ata të korrigjojnë gabimin e vet dhe të pranojnë mandatin e deputetit”, ka deklaruar ai.
Ai shtoi se edhe gjatë konsultimeve të thirrura nga Kryesuesi i Seancës, përfaqësuesit opozitarë refuzuan të bien dakord për një zgjidhje që do të zhbllokonte procesin. “Kjo është absurde,” përfundoi Murati, duke theksuar se institucionet duhet të funksionojnë sipas rregullave demokratike dhe jo sipas interesave të momentit të partive politike.