Punëtorët e RTK-së protestuan para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, për shkak të mosalokimit të buxhetit për RTK-në dhe mospagesës së pagave për 700 punonjës e këtij mediumi publik, raporton Ekonomia Online.
Në protestë u tha se qëllimi i vetëm është mbrojtja e RTK-së, dinjiteti i punëtorëve dhe sigurimi i pagave të merituara.
“Pa RTK-në s’ka zë të qytetarëve”, ”Gazetar pa pagë – demokraci pa zë”, “RTK nuk hesht edhe në errësirë”, kanë qenë disa nga pankartat që protestuesit i mbanin në duar.
Kryetari i Sindikatës së RTK-së, Gëzim Bimbashi, kërkoi që menjëherë të alokohet buxheti për institucionin e vetëm publik. Ai theksoi se mbi 700 familje ndodhen në një gjendje të rëndë ekonomike. Sipas tij, protesta nuk ka karakter politik.
Bimbashi gjithashtu kërkoi rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm si dhe sigurimin e pagave.
Ndërsa,kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se kjo krizë në RTK ka qenë e shmangshme. Ai kërkoi që buxheti për RTK-në të alokohet menjëherë për gjashtëmujorin e dytë të vitit. Sipas tij, RTK ka një rol të rëndësishëm në skenën mediale të Kosovës.
