Kryetari i tifo-grupit “Plisat” pranon fajësinë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm e dy veprat tjera që i vihen në barrë

Prishtinë | 04 Sht 2025 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

 Në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetari i tifo-grupit “Plisat”, Rinor Grajqevci, ka pranuar fajësinë për tri veprat penale që i vihen në barrë “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Grajqevci tha se veprat penale për të cilat e pranoi fajësinë, i ka pranuar edhe në Polici dhe Prokurori, ndërkaq premtoi se nuk do të kryejë më vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtësja e të akuzuarit Grajqevci, avokatja Shemsie Asllani kërkoi që të merret si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësië dhe fakti se me të dëmtuarin Arben Gashi janë pajtuar dhe nuk kanë interes që të merren me këtë çështje.

Ajo gjithashtu kërkoi që gjatë shqiptimit të dënimit të merret parasysh pendimi i të akuzuarit dhe premtimi i tij që nuk do të kryejë më vepër penale.

Ndërsa, prokurori i rastit Kastriot Berisha i propozoi gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë pasi që janë plotësuar kushtet sipas dispozitave ligjore.

Prokurori i propozoi Gjykatës që me rastin e vendosjes në lidhje me llojin dhe lartësinë e dënimit, si rrethanë rënduese të merret fakti se i akuzuari është recidivist i veprave penale, i dënuar me 12 aktgjykime të formës së prerë, ku 9 prej tyre për vepra kundër jetës dhe trupit, ndërsa njëri nga aktgjykimet është për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu, propozoi që të mos merret parasysh si rrethanë lehtësuese pendimi i të akuzuarit e as premtimi që nuk do të përsërisë veprën penale, për faktin se është dënuar 12 herë dhe ka përsëritur sjelljen e tij, çka nënkupton se me dënimet e mëparshme nuk është arritur qëllimi i dënimit.

Andaj, prokurori Berisha propozoi që ndaj të akuzuarit Grajqevci për tri veprat penale që i vihen në barrë t’i shqiptohet dënim unik me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 5 vite, pasi që me këtë dënim konsiderohet se do të arrihet qëllimi i dënimit përmes të cilit i akuzuari do të parandalohet që të kryejë vepra të tilla.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 17 nëntor 2020, Rinor Grajqevci akuzohet se më 15 maj 2020 rreth orës 18:25 në rrugën “Ahmet Haxhiu”, gjatë kohës që po drejtonte veturën, ka dalë nga vetura dhe me armë zjarri ka shtënë një herë në drejtim të veturës së të dëmtuarit Arben Gashi, duke e goditur në pjesën e pasme, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Tutje, aktakuza thekson se nga data e papërcaktuar deri më 15 maj 2020, në rrugën “Ahmet Haxhiu” në Prishtinë, i akuzuari Grajqevci ka mbajtur pa autorizim armën e llojit Zoraki, në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për armë, duke e përdorur për të shtënë në drejtim të veturës së të dëmtuarit.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, në të njëjtën datë, kohë dhe vend, i akuzuari, me dashje dhe me qëllim, ka dëmtuar pasurinë e të dëmtuarit Arben Gashi, duke shtënë në veturën e tij, çka ka shkaktuar dëmtim material dhe ka ndryshuar dukjen e veturës.

Me këtë veprim, ai akuzohet për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 321, paragrafi 1 i Kodit Penal. 

Të ngjashme