Prishtina mes sfidave dhe shpresave: çfarë vendosim këtë tetor?

Prishtinë | 02 Tet 2025 | 20:55 | Nga Albulena Nrecaj
  1. Sfida urbane dhe gjendja e qytetit

Prishtina nuk është thjesht kryeqyteti i Kosovës. Është qyteti ku ndihen të gjitha tensionet dhe shpresat e vendit. Çdo zgjedhje këtu nuk është thjesht për kryetar por është një mënyrë për të kuptuar drejtimin që po merr e gjithë Kosova.

Por qyteti po rritet me ritëm të shpejtë, pa përmirësime të dukshme në jetën e përditshme të qytetarëve. Trafiku është bërë një torturë ditore, transporti publik mezi funksionon dhe hapësirat e gjelbra po zhduken nën ndërtimet e larta që infrastruktura ekzistuese nuk i përballon. Ndërtimet e larta për shumë banorë janë bërë pa rrugë të gjera, kanalizime të mjaftueshme dhe kapacitete të ujësjellësit apo ndriqimit publik. Mungesa e shkollave dhe çerdheve i bën sfidat më të prekshme për familjet e reja.

Qytetarët përballen çdo ditë me bllokime në rrugë, trafik të rëndruar, mbeturina, ajër të ndotur dhe infrastrukturë sociale të pamjaftueshme. Përgjegjësia për këtë nuk bie vetëm mbi kryetarin aktual, por edhe mbi kandidatët opozitarë që kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës dhe e partive të atyre që kanë marrë pjesë në vendime që lejuan zhvillimin e pakontrolluar urban dhe sot premtojnës e do të jepin zgjidhje, por asnjëherë s’kanë dhënë përgjegjësi.

Përtej infrastrukturës, qytetarët shqetësohen për transparencën dhe qeverisjen e mirë – a po përdor komuna burimet e saj për të ndërtuar një qytet modern dhe të drejtë, apo thjesht për të menaxhuar status quo-në?

  1. Kandidatët dhe mungesa e projekteve konkrete

Kryetari aktual nuk ka realizuar projekte urbane që ndryshojnë esencialisht funksionimin e qytetit, apo përmirëson dukshëm jetën e një komuniteti urban.

Dokumente strategjike si Plani Zhvillimor Komunal (PZHK) kanë skaduar, ndërsa Plani i Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban është ende në fuqi.

Të gjithë kandidatët, po i bazojnë fushatat e tyre edhe mbi këto dokumente, duke i kopjuar dobët dhe duke i prezantuar si ide të veta. Rezultati është se premtimet e tyre duken abstrakte dhe të paqarta për qytetarët. Një nga dilemat më të mëdha lidhet me vetë konceptin e “tram-it elektrik”. Kryetari rishtasi e përshkruan atë si një autobus elektrik i zgjatur, 32 metra i gjatë, që quhet “tram” vetëm për nga përmasat dhe nuk kërkon infrastrukturë të re. Por në Planin e Mobilitetit tw Qwndrueshwm Urban paraqitet diçka krejt tjetër – një “tramvaj-tren”, i menduar si kombinim i tramvajit urban me trenin hekurudhor, që kërkon linja të dedikuara dhe investime të mëdha. Kjo mospërputhje mes retorikës politike dhe planifikimit urban nuk është thjesht teknike: ajo përcakton se çfarë shërbimi do të marrin qytetarët. Një “autobus i gjatë” nuk e zgjidh dot problemin e trafikut dhe të mbingarkesës, ndërsa një tramvaj-tren kërkon angazhim financiar dhe planifikim afatgjatë. Paqartësia i lë qytetarët në mjegull, a do të shohin një transformim real të transportit publik?

Shumë premtime tjera, si hapësira publike, gjelbërim urban apo projekte të tjera infrastrukturore, janë ripërsëritje të dokumenteve të komunës, por pa vizion ose strategji të re.

Kjo ua vështirëson qytetarëve të kuptojnë se cili kandidat ka aftësinë, integritetin dhe vizionin për ta bërë ndryshimin real.

Për më tepër, një nga kandidatët ka paraqitur një platformë 10 vjeçare, duke e prezantuar si vizion për qytetin, edhe pse mandati i ardhshëm është vetëm 4 vjeçar. Kjo nuk është serioze dhe nuk është etike. Çdo iniciativë që përdor burime publike duhet të ketë një plan të realizueshëm brenda mandatit të atij kryetari, sepse nuk ka asnjë garanci që një kryetar tjetër, qoftë edhe nga e njëjta parti, do ta vazhdojë projektin. Përdorimi i burimeve publike për projekte që mbeten në dorën e një administrate tjetër mund të shihet si keqpërdorim i fondeve publike, sepse qytetarët nuk marrin përfitimin e premtuar dhe paratë shkojnë dëm.

Një shembull shumë i qartë është riciklimi i mbeturinave. Prej vitit 2009 janë shpenzuar para publike për projekte dhe nisma të ndryshme për riciklim, por sot nuk kemi asnjë sistem funksional. Për më tepër, mbeturinat e paparicikluara nuk po menaxhohen si duhet, duke krijuar një problem të madh për qytetin. Kjo tregon se paratë dhe energjia e investuar janë shkuar dëm, dhe qytetarët mbeten pa rezultat konkret, pavarësisht premtimeve dhe projekteve të prezantuara nga qeverisjet e kaluara.

Prandaj, qytetarët duhet të kërkojnë projekte të qarta, të realizueshme dhe të monitorueshme brenda mandatit, dhe jo vizione të largëta që mund të mbeten vetëm ide abstrakte. Një platformë serioze duhet të jetë një plan konkret për katër vitet e ardhshme, i lidhur me burimet dhe kapacitetet reale të komunës, dhe jo një listë dëshirash për dhjetë vitet e ardhshme.

  1. Pjesëmarrja qytetare dhe rëndësia e votës

Komunitetet urbane nuk duan thjesht premtime të bukura në letër. Ata duan zgjidhje reale për problemet e përditshme: trafik të lehtë, trotuare të sigurta, hapësira publike që i përgjigjen kërkesave të banorëve, çerdhe dhe shkolla të mjaftueshme, shërbime komunale që funksionojnë dhe një administratë që përgjigjet me shpejtësi ndaj nevojave të tyre. Të rinjtë kërkojnë mundësi punësimi, hapësira inovative për kulturë, sport dhe edukim, dhe një qytet ku zhvillimi urban nuk shkatërron cilësinë e jetës.

Por pjesëmarrja qytetare nuk mund të kufizohet vetëm tek votimi një ditë në katër vjet. Komunitetet urbane duhet të kërkojnë llogari çdo ditë, të monitorojnë punën e komunës dhe të mbajnë presion mbi ata që marrin vendime. Nëse duan një Prishtinë më të jetueshme dhe funksionale, nuk mund të jenë thjesht spektatorë.

Çelësi është votimi për zgjidhje të matshme dhe të prekshme, jo për premtime të përgjithshme ose platforma abstrakte. Qytetarët duhet të vlerësojnë me kujdes cilat platforma dhe projekte kanë rezultate të prekshme brenda mandatit, cilat mund të realizohen me burimet dhe kapacitetet aktuale të komunës, dhe cilat do të ndikojnë direkt në përmirësimin e jetës së komuniteteve urbane.

Votimi i kandidatëve mbi baza partiake, klienteliste ose familjare nuk garanton zhvillimin e Prishtinës dhe përmirësimin e jetës së përditshme. Vetëm duke votuar për ata që ofrojnë zgjidhje konkrete, të prekshme dhe të monitorueshme, projekti i qytetit mund të kthehet në realitet

  1. Prishtina do të bëhet ashtu si meritojmë

Zgjedhjet e këtij tetori nuk janë thjesht për kryetarin e ardhshëm. Ato janë për vizionin e Prishtinës: një qytet ku shërbimet funksionojnë, ku paratë publike menaxhohen me përgjegjësi, qytetari është në qendër të vendimmarrjes dhe zhvillimi urban planifikohet me mend.

Prishtina është pasqyra e Kosovës. Çfarë duam të shohim në këtë pasqyrë? Një qytet të menaxhuar mirë, me infrastrukturë të fortë, hapësira publike dhe zhvillim të qëndrueshëm, apo një qytet ku premtimet mbeten letra, betoni dominon mbi jetën e përditshme dhe qytetari humbet zërin e tij?

Çdo votë ka fuqinë të ndryshojë këtë pasqyrë. Nuk mund të qëndrojmë thjesht spektatorë ndërsa projektet mbeten të papërfunduara dhe resurset komunale shkojnë dëm.

Për qytetarët e Prishtinës zgjedhja është më kritike se kurrë.

Të ngjashme