Afganistani dhe Pakistani, të përfshirë në luftime që kanë vrarë dhjetëra njerëz dhe plagosur qindra, u zotuan të dielën të respektojnë një armëpushim.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia, hyri në fuqi menjëherë dhe synon të ndalojë armiqësitë, raporton Associated Press.
Dhuna është përshkallëzuar mes fqinjëve që nga fillimi i këtij muaji, me secilin vend që thotë se po i përgjigjet agresionit nga tjetri. Afganistani mohon se strehon militantë që kryejnë sulme në zonat kufitare.
Pakistani po përballet me militantizëm që është rritur që nga viti 2021, kur talebanët morën kontrollin e Afganistanit dhe u rikthyen në pushtet.
Zëdhënësi kryesor i qeverisë së talebanëve, Zabihullah Mujahid, dha një përgjigje pozitive për rezultatin e bisedimeve që u zhvilluan në kryeqytetin e Katarit, Doha, një ditë më parë.
Ai tha se të dy vendet kishin nënshkruar një marrëveshje dypalëshe.