Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, së bashku me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe partneren e koalicionit nga radhët e AAK-së, Vildane Latifi, zhvilluan një takim me qytetarët për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të arsimit në komunë.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e investimeve konkrete në sektorin e arsimit, duke përfshirë ndërtimin e një kampusi modern arsimor, çerdheve publike dhe një shkolle profesionale që i përgjigjet kërkesave të tregut të punës.
Sipas tyre, investimi në arsim është një parakusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë e komunës.
Prebreza theksoi se kjo është një prioritet strategjik për ekipin e tij dhe se realizimi i këtyre projekteve do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet qendrore dhe partnerët e koalicionit.
“Arsimi cilësor është themeli i zhvillimit të qëndrueshëm. Dhe këtë do ta bëjmë bashkë me qytetarët, institucionet dhe partnerët tanë,” tha Prebreza.
Takimi u fokusua gjithashtu në identifikimin e nevojave konkrete të shkollave ekzistuese dhe mundësive për përmirësimin e infrastrukturës dhe programit mësimor, duke synuar një sistem arsimor modern dhe të përshtatshëm për të ardhmen.
