Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka vlerësuar të gabuar veprimin e Vetëvendosjes ku propozoi Glauk Konjufcën mandatar për kryeministër të Qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.
Ahmet Isufi nga AAK, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se asnjëherë nuk ka ndodhur që të bëhet një propozim i ngjashëm, teksa nuk ka një marrëveshje me partitë politike.
“Ne mendojmë që duhet të ketë një marrëveshje politike mes partive të cilat duan të krijojnë Qeveri prandaj është e para herë që ndodhë që kërkohet një votë për mandatarin e që në të njëjtën kohë nuk ka asnjë marrëveshje. Konsideroj që është e para herë që po ndodhë sepse çdo Qeveri në të kaluarën është krijuar duke pasë një bashkëpunim të partive politike të cilat kanë gjet mënyrën e qasjen e qeverisë sepse për të pasë Qeveri stabile duhet të ketë edhe kombinim pozitë-opozitë të qëndrueshme. Në këtë rast besoj që është një gabim i Lëvizjes Vetëvendosjes që para se të arrijë marrëveshje me ndonjërën parti politike, po e qetë një mandatar vetëm për ta përfituar pushtetin vetëm për vete”, tha Isufi për Ekonomia Online.
Isufi e ka qartësuar se asnjë deputetë nuk ka votë as për Konjufcën, meqenëse nuk ka një marrëveshje paraprake.
“ Nuk ka pasë ndonjë komunikim për shkak se AAK e ka përcaktuar vijën e vet me kohë dhe ka deklaruar se është për një Qeveri e cila del nga vota e qytetarëve e që mundet me qenë pjesë e ish-opozitës. Nuk besoj që ka deputet që mund të jap votën nëse nuk ka marrëveshje”, ka thënë Isufi.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër. Ky do të jetë tentimi i dytë për ta formuar Qeverinë e re, pasi Albin Kurti si mandatar, në seancën e jashtëzakonshme të 26 tetorit nuk ka arritur që t’i sigurojë 61 vota për bërë Qeverinë e re.
