Kurti për plagosjen e rrëmbimin e serbit nga xhandarmëria: Kundërshtoi regjimin e Vuçiqit, qëllimi i Serbisë ta destabilizojë Kosovën

Prishtinë | 04 Nën 2025 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se qytetari serb që është plagosur e më pas është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq, pra në territorin e Kosovës, është bërë për të vetmen arsye se ai ka kundërshtuar regjimin e presidentit serv Aleksandar Vuçiq, raporton Ekonomia Online.

Kurti, në konferencën për media ku pranoi raportin e vendit, tha se qëllimi i Serbisë është që ta destabilizojë Kosovën, por theksoi se falë organeve të sigurisë dhe inteligjencës, do të dështojë.

”Sulmi, nga ajo që dimë deri më tani, ka ndodhur në territorin e Kosovës. Qytetari i sulmuar, i plagosur dhe i rrezikuar për jetë, është shtetas i Kosovës. Gjithçka tregon se e kanë sulmuar sepse është kundërshtar i regjimit të presidentit të Serbisë, Vuçiq. Policia gjendet në vendin e ngjarjes me asistencë të KFOR-it. Është e qartë se fqinji ynë verior po vazhdon me sulmet e veta që kanë për qëllim disiplinimin e serbëve dhe destabilizimin e Kosovës.

Jam i bindur se me organet tona të sigurisë dhe inteligjencës do të dështojnë këto të dyja. Është një akt i përsëritur, prandaj kërkoj mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën dhe dënimin për ata të cilët urdhërojnë dhe ekzekutojnë veprime të tilla kriminale me tendencë destabilizuese”, ka thënë Kurti.

Të ngjashme