Nëse edhe zgjedhjet e reja do të prodhonin një situatë të ngjashme sikurse kjo prej 9 shkurtit, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku në një konferencë për media tha se nuk duhet të mendohet skenari më i errët, raporton Ekonomai Online.
Ai tha se edhe vdekja është më afër se këmisha. Më tej ai theksoi se pse është mbledhur Këshilli i Përgjithshëm të Vetëvendosjes, nuk ndërrojnë qëndrimet politike, e madje sipas tij ato nuk ndërrojnë as nëse mblidhet Këshilli i Sigurimit.
“Nuk duhet të nisemi nga skenarët e errët. Jemi njerëz. Si besimtarë që jemi, vdekjen e kemi më të afërt se këmshinë, mund të vdesim, mund të ketë prapë zgjedhje, skenari i errët mund të vazhdojë sa të dojë — por të sillemi me logjikë. Le të besojmë që zgjedhjet e reja sjellin qeveri stabile dhe s’ka më kriza. Por nëse bash po frikësoheni për kriza dhe ky narracioni se duhet me ia lënë pakicës, se pakica po na kërcënon — kjo është sjellje e banditit. Banditi të kërcënon, të thotë: krizë, zi, terr. Në demokraci të bind dhe të bëhet partner. Në demokraci kërkohet shumica. Nëse bash qenka skenari i errët, atëherë të kthehemi te propozimi që partitë politike mund të bëjnë një zotim të buxhetit paraprak në këtë fazë, para se të shpërndahet Kuvendi. Mos e mendoni më të keqën. Kosova është, megjithatë, e mirë; ka njerëz të mirë, ka politikanë të mbarë. Shumica që e do zgjidhjen është më prezente sesa pakica që e ka bllokuar këtë proces”, tha ai.
Abdixhiku ka ironizur me përqafimet e Vetëvendosjes.
“Pse po na humbni 15 ditë, kur mund të caktohet data, sepse është e pashmangshme dhe vullneti politik nuk ka për të ndryshuar pse u mblodh Arbërie Nagavci në Këshillin e Përgjithshëm dhe u përqafuan Glauku me Albinin? Vendimet e partive politike nuk ndryshojnë. Mund të mblidhet edhe Këshilli i Sigurimit, por vendimi i partisë politike mbetet i njëjtë.Pra, sa janë përqafuar mes vete, më mirë do të kishte qenë të luteshin disa parti të tjera që kanë pasur gatishmëri politike me u marrë me ta. Unë them që këtë lojë politike ta ndërpresin, sepse është pak marre, është e ulët në nivelin politik. Të jemi të sinqertë me qytetarin dhe të themi: s’kemi shumicë, hajde të flasim për datën e zgjedhjeve. Nuk është folur për datën e zgjedhjeve në takim”, tha ai.
