Abdixhiku në Kryeqytet: Prishtina do të vazhdojë me LDK-në dhe Përparim Ramën

Prishtinë | 07 Nën 2025 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin përmbyllës në Prishtinë, në kuadër të raundit të dytë zgjedhor, raporton Ekonomia Online.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh i bindur se Prishtina do të vazhdojë me LDK-në dhe në krye me Përparim Ramën.

“Ja ku jemi sonte, në zemër të qytetit tonë, për të përmbyllur bashkë udhëtimin më të bukur të këtyre viteve — një udhëtim që na ktheu Lidhjen Demokratike në vendin e parë në Prishtinë pas 12 vitesh, që na dha fitoren e parë të madhe, dhe që tani kërkon vetëm një hap të fundit: ta vulosim fitoren e plotë të Prishtinës sonë! Të dielën, më 9 nëntor, Prishtina flet sërish. Dhe këtë herë, ajo flet me vendosmëri, me krenari, me vullnet të hekurt:
Prishtina do të vazhdojë me LDK-në!
Prishtina do të vazhdojë me Përparim Ramën!
Prishtina do të vazhdojë rrugën e punës, të dinjitetit dhe të qytetarisë!”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së pati edhe akuza ndaj Qeverisë, e cila, sipas tij, nuk ka ndihmuar asnjë projekt në kryeqytet.

“Por kur populizmi përpiqet të hyjë në këtë qytet – gjithçka ngecë e gjithçka ndalet. Për katër vite, ata që sundojnë nga Qeveria Qendrore nuk ndihmuan asnjë projekt në Kryeqytet. Përkundrazi, ata bënë çmos që këtë qytet tuajin ta shndërrrojnë në fushëbetejë politike, me apetite të ngushta partiake. Në vende të investimeve që mund t’i bënin, ata sollën gjënë e vetme që dinë të bëjnë: bllokimin. Në vend të bashkëpunimit me Kryeqendrën e qytetarëve të vet, të shtetit të vet, ata sollën sabotazhën si vlerë. Kur u folëm për unazën e jashtme, thanë se nuk jepen 200 milionë euro investime për Prishtinë. Kur u kërkuam ndihmë në arteriet kapitale, ata na kanë lënë në gjykata me qëllim vonese. Kur u kërkuam trajtim korrekt buxhetor, ata e lanë Prishtinën për një vit të tërë pa fonde, me restrikcione, me një të dhjetën e buxhetit në dispozicion”, theksoi Abdixhiku.

Ai pati edhe lëvdata për Përparim Ramën dhe qeverisjen e tij si kryetar i Prishtinës.

“Nën përkushtimin e një kryetari që nuk u dorëzua përballë asnjë pengese. Nën vizionin e një ekipi që e do qytetin, jo pushtetin. Sepse Përparim Rama nuk është politikan i fjalëve boshe. Ai është njeriu i punëve konkrete, i arkitekturës urbane, i planit të qartë. Ai e do qytetin si shtëpinë e vet, dhe punon për të si qytetari më i mirë që mund ta ketë Prishtina. Prandaj, të dielën, nuk votojmë thjesht një emër. Votojmë vazhdimësinë e punës, vazhdimësinë e vizionit, vazhdimësinë e qytetarisë. Sepse Prishtina nuk ka më kohë për eksperimente politike. Nuk ka më kohë për propagandë, për retorikë, për tallje me qytetarët. Prishtina nuk mund të kthehet në dorë të atyre që e shohin si trofe, jo si shtëpi. Ne e kemi kthyer qytetin në rrugën e drejtë. Tani duhet ta vulosim këtë rrugë me votë, me bindje, me besim. Më 9 nëntor, nuk do të jetë vetëm një ditë zgjedhjesh. Do të jetë dita e vulosjes së fitores sonë. Do të jetë dita e qytetarëve që e duan Prishtinën me shpirt, që nuk e shesin, që nuk e lodhin me urrejtje. Do të jetë dita e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e shtëpisë së madhe të çdo prishtinasi”, shtoi Abdixhiku.

Të ngjashme