Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale, duke thënë se partia që ai drejton është në vendin e parë, me 7 komuna të fituara.
“Ne jemi në vendin e parë, dhe pse duhet të diskutohet kush është fitues, kur një parti politike i ka 7 komuna, përfshirë edhe kryeqytetin, unë pak edhe habitem. Fitorja ose humbja përjetohet nga njerëzit që e shënojnë fitoren ose humbjen. Unë nuk pres kundërshtari politik të ma cilësojë fitore rezultatin elektoral”, tha ai.
Ndër të tjera, duke folur për rritjen e numrit të komunave të fituara nga LVV-ja, ai tha se rritja e kësaj partie duhet të bazohet në rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme kur ishte e para në 24 komuna.
“Edhe rritja duhet bazuar në një parti e cila rreth 8 muaj më parë, ka qenë e para në 24 komuna. Unë po të kisha një rezultat të tillë nacional, dhe është faji imë që s’e kam, por po ta kisha, dhe po të përfundoja në humbje të Prishtinës, do të mjaftonte”, tha kreu i LDK-së.
E më tej, Abdixhiku tha se të gjitha partitë do të donin t’i kishin komunat që i ka fituar LDK-ja.
“Ta thjeshtojmë këtë: po t’i bësh ofertë publike partive tjera, a i ndërroni komunat me të LDK-së, krejt thonë po. Veç LDK-ja thotë jo. Sepse askush nuk e ndërron kryeqytetin”, deklaroi Abdixhiku në Rubikon.