Moszbatimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Serbi, Rexhepi: Raporti i KE vulos vërejtjet tona

Prishtinë | 08 Dhj 2025 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi ka thënë se vërejtjet e tyre në lidhje me moszbatimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Serbi janë vërtetuar edhe në Raportin e komitetit të Ekspertëve të Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave.

“Raporti i Komitetit të Ekspertëve të Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave konfirmon plotësisht vërejtjet që Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme lidhur me moszbatimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Serbi. Sipas raportit, e drejta për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe vazhdon të mbetet jashtë funksionit, ndërsa institucionet shtetërore nuk ofrojnë dokumente, formularë, platforma digjitale, tabela informuese apo komunikim zyrtar në gjuhën shqipe. Mungesa e stafit dygjuhësh e thellon edhe më shumë këtë diskriminim të dokumentuar. Raporti thekson se rekomandimet e Kartës nuk janë zbatuar që prej vitit 2008, duke rikonfirmuar saktësinë e gjithë evidencës që Këshilli Kombëtar Shqiptar ka paraqitur ndër vite”, ka shkruar Rexhepi.

Në raport thuhet edhe se nuk janë marrë parasysh rekomandimet e dhëna në shkurt të këtij viti në Tryezën e Implementimit të Kartës.

“Në shkurt të këtij viti, në Tryezën e Implementimit të Kartës, në një takim trepalësh mes Komitetit te ekspertëve, Këshilli Kombëtar Shqiptar i përfaqësuar nga Alban Alili dhe organizata “The Future”, që përfaqësoi shoqërinë civile dhe palës serbe, janë paraqitur rekomandime të qarta dhe të argumentuara për përmirësimin e situatës nga ana jonë. Pala serbe i pranoi këto rekomandime dhe mori obligimin që brenda pesë muajve të niste takimet për zbatimin e tyre, përfshirë krijimin e ekipit të përkthyesve administrativë, përkthimin e dokumenteve zyrtare dhe funksionalizimin e platformave në gjuhën shqipe. Raporti i Komitetit të Ekspertëve konstaton se asnjë prej këtyre hapave nuk ka ndodhur. Takimi pasues nuk është thirrur nga asnjë institucion dhe asnjë masë e dakorduar nuk ka hyrë në zbatim”, shkruan mes tjerash ai.

Më tej Rexhepi theksoi se shqetësimet e tyre ishin të sakta duke theksuar se do të insitutojnë që të zbatohet standardi evropian dhe garantimi i të drejtave gjohësore të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Ky konstatim ndërkombëtar është dëshmi  se shqetësimet dhe vërejtjet tona kanë qenë të sakta dhe të mbështetura në realitet, dhe hedh në dritë tashmë qartë mosgatishmërinë e institucioneve shtetërore për të respektuar ligjin, dhe gjuhën shqipe ta trajtoj si gjuhë zyrtare! Këshilli Kombëtar Shqiptar do të vazhdojë të insistojë me vendosmëri për zbatimin e standardeve evropiane dhe garantimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke i adresuar këto shkelje në të gjitha instancat relevante”, ka shkruar Rexhepi.

Të ngjashme