Trajkoviq deklaron se nuk e kishte goditur askënd dhe nuk kishte qenë në Qendrën Sportive dhe në Smrekonicë

Prishtinë | 12 Dhj 2025 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte i akuzuari për krime lufte, Sladan Trajkoviq, ka dhënë mbrojtjen e tij. Në këtë seancë u administruan edhe provat materiale.

Trajkoviq, në deklarimin e tij lidhur me akuzën, tha se më 22 maj 1999 u kishte ndihmuar shqiptarëve tek varrezat në Vushtrri. Ai mohoi të ketë qenë ndonjëherë në Qendrën Sportive apo në burgun e Smrekonicës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kanë qenë disa të rinj që i kam lejuar të iknin kur nuk ishte askush aty. Unë jam Sladan Trajkoviq dhe asnjë akuzë s’ka të bëjë me mua, përveç se kam qenë në Vushtrri më 22 maj. Me përgjegjësi pohoj dhe e shikoj trupin gjykues në sy që askënd nuk e kam goditur, nuk kam qenë asnjëherë në Qendrën Sportive, nuk kam qenë në burgun e Smrekonicës. Në asnjërën prej tyre nuk kam qenë asnjëherë”, tha ndër të tjera Trajkoviq.

Ai shtoi se më 6 prill 1999 kishte qenë në shtëpi duke festuar ditëlindjen e djalit, me mysafirë të shumtë. Lidhur me akuzën për vrasjet në familjen Ujkani, deklaroi se nuk kishte qenë kurrë në fshatin Reznik.

“Më 6 prill kam qenë në shtëpi, këtë e kam thënë disa herë. Atë ditë kam festuar ditëlindjen e djalit, sepse atë ditë më ka shpëtuar djali im. Gjatë gjithë ditës kishte mysafirë. Kam edhe shumë fshatarë që ishin prezent atë ditë, por tani janë larguar në Serbi. Nuk kam dëgjuar që ka ndodhur diçka në familjen Ujkani në Reznik gjatë luftës. Në Reznik nuk kam qenë as para luftës e as gjatë luftës”, u shpreh Trajkoviq.

I pyetur nëse grumbulli i njerëzve tek varrezat në Vushtrri përbëhej tërësisht nga shqiptarë, ai tha se, sipas dijenisë së tij, të gjithë ishin civilë.

“Sa di unë, të gjithë ishin me rroba civile. A ka pasur nacionalitete të tjera si turq apo goranë, nuk e di, por serb nuk ka pasur. Unë personalisht asnjë person nuk e kam sjellë deri te kamioni dhe nuk e kam futur në kamion”, tha Trajkoviq.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./

Të ngjashme