KEK-u i kundërpërgjigjet Sindikatës: Pretendimet për mungesë të pajisjeve mbrojtëse janë të pavërteta

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka hedhur poshtë pretendimet e Sindikatës së Re të KEK-ut (SR-KEK) se në ndërmarrje mungojnë shumica e pajisjeve mbrojtëse për punëtorët, duke thënë se këto deklarime nuk përputhen me gjendjen faktike.

Në një reagim publik, KEK-u ka bërë të ditur se aktualisht janë në fuqi katër kontrata kornizë për furnizim me pajisje mbrojtëse në punë, ndërsa ka sqaruar se problem i veçantë mbetet furnizimi me këpucë mbrojtëse.

“Pavarësisht fakteve dhe sqarimeve të prezantuara nga Bordi dhe Menaxhmenti, SR-KEK ka vazhduar me deklarime publike që nuk janë të vërteta dhe bien ndesh me gjendjen faktike. Konkretisht, pretendimi se në KEK mungojnë shumica e pajisjeve mbrojtëse është i pavërtetë. Aktualisht janë në fuqi katër kontrata kornizë për furnizim me pajisje mbrojtëse në punë, ndërsa çështje e veçantë mbetet furnizimi me këpucë mbrojtëse, për të cilin procedura e prokurimit nuk ka përfunduar me sukses”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Korporata ka thënë se menaxhmenti i ka kërkuar sindikatës që çdo pretendim për mangësi të paraqitet në mënyrë konkrete dhe të mbështetet me fakte.

“Menaxhmenti i ka kërkuar SR-KEK-ut që, nëse pretendon se ekzistojnë mangësi, t’i identifikojë konkretisht dhe t’i mbështesë me fakte, ndërsa nga KEK Sh.A. i është ofruar bashkëpunim dhe transparencë e plotë për adresimin dhe zgjidhjen e përbashkët të çdo çështjeje. Për më tepër, sindikatave u është bërë ftesë për përfshirje të drejtpërdrejtë në Task-Force për rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Prandaj, çdo shqetësim real duhet të paraqitet konkretisht dhe të trajtohet bashkërisht, jo të zëvendësohet me deklarime publike të pavërteta”, thuhet më tej.

KEK-u është ndalur edhe te deklarimet që lidhen me shkaqet apo përgjegjësitë për aksidentet në ndërmarrje, duke theksuar se hetimet për rastet janë ende në zhvillim.

“Veçanërisht të papërgjegjshme janë deklarimet që përcaktojnë publikisht shkaqe apo përgjegjësi për aksidentet, ndërkohë që hetimet janë ende duke u zhvilluar nga organet kompetente. Askush nuk mund t’i paraqesë si fakte përfundime që ende nuk janë përcaktuar nga hetimi. Në një moment kaq të rëndë, askush, përfshirë përfaqësuesit sindikalë, nuk duhet të luajë me dhimbjen dhe ndjenjat e familjeve të prekura, e aq më pak t’i instrumentalizojë tragjeditë për interesa apo agjenda të tjera. Familjet meritojnë respekt, të vërtetën dhe zbardhjen e plotë të rasteve – jo spekulime”, ka deklaruar KEK-u.

Korporata ka theksuar se siguria e punonjësve mbetet çështje serioze dhe se nuk do të tolerojë, siç ka thënë, deklarime që krijojnë perceptime të pabazuara.

“Siguria e punonjësve dhe tragjeditë që kanë prekur familjet e tyre janë çështje tepër serioze për t’u përdorur për pretendime të pavërteta apo interesa të çfarëdo natyre. KEK-u po i trajton këto çështje me përgjegjësi, transparencë dhe në përputhje të plotë me faktet. Prandaj, nuk do të tolerohet dezinformimi apo krijimi i perceptimeve të pabazuara që kanë tendencë të shtrembërojnë realitetin”, thotë reagimi i Korporatës Energjetike të Kosovës.

Të ngjashme