Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit është ndërprerë, ndërsa dëshmia e radhës në këtë proces është caktuar për 17 dhjetor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc deklarohen sërish të pafajshëm

Tre të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm para gjykatës, ndërsa palët në procedurë kanë rënë dakord që të mos përsëritet dëgjimi i dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani, pas ndryshimit të kryetarit të trupit gjykues.
Kryetari i ri i trupit gjykues, Leon Përlaska, ka bërë të ditur se do të respektohet radha e dëshmitarëve e përcaktuar nga përbërja e mëparshme e trupit gjykues.
Ai ka njoftuar se në seancën e ardhshme do të dëshmojë Tijana Viqentijeviq, familjare e të akuzuarve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq.
“Për këtë seancë nuk ka thirrur ndonjë dëshmitar, gjithashtu rikujton se me seancat e kaluara dhe në përbërjen e kaluar të trupit gjykues janë aprovuar disa dëshmitarë,. Është paracaktuar edhe radha e thirrjes së tyre, e cila do të respektohet edhe nga ky trup gjykues. Kanë mbetur disa propozime të mbrojtës pa u vendosur, është marrë mendimi i prokurorit.. gjykata njofton palët se në seancën e radhshme do dëshmoj Tijana Viccentijeviq”, tha ai.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 17 dhjetor, në orën 13:00.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviqit, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, në Varagë të Zubin-Potokut.















